E Shtunë, 31 Tetor 2026

Montobio: Të bien dakord për modalitetet e komisionit hetimor

Ambasadorët e BE-së: Berisha dhe Rama të mbyllin krizën javën e ardhshme

Ambasadorët e Bashkimit Europian i kanë lëshuar një ultimatum të fuqishëm Kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama, që të arrijnë marrëveshjen për mbylljen e krizës brenda javës së ardhshme. Diplomatët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë, janë mbledhur dje në një takim jo shumë të zakonshëm në zyrat e Delegacionit të Komisionit Europian. Nga burime diplomatike mësohet se përfaqësuesit e vendeve të fuqishme të Europës, si Gjermania, Britania e Madhe, por edhe ambasadori Lohan, kanë bërë të ditur se raundi i bisedimeve nuk duhet të jetë një lojë që mund të zgjasë pafund, që lodh edhe më shumë popullin shqiptar, por edhe krijon një klimë të paqartë te komuniteti ndërkombëtar. Mbledhja e djeshme ka zgjatur më shumë se 90 minuta dhe në fund nuk është hartuar një deklaratë e përbashkët, por është lënë që të flasin për mediat ambasadori spanjoll, i cili përfaqëson presidencën e radhës së BE-së, Manuel Montobio dhe kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan. Ambasadori Montobio deklaroi që “partitë të mos vonojnë zgjidhjen. çdo vonesë rrezikon seriozisht integrimin e Shqipërisë”. Kryediplomati i Madridit zyrtar ka theksuar fuqishëm fjalën “rrezikon seriozisht integrimin”, duke bërë të ditur se kërcënimi i Europës është dramatik. Nga ana tjetër, Montobio ka bërë të ditur se zgjidhja e krizës duhet të vijë përpara datës 6 mars, kur mbyllet afati kushtetues për përfundimin e mandatit të deputetëve të PS-së. “Palët duhet të bien dakord lidhur me modalitetin e komisionit hetimor për zgjedhjet”, tha Montobio. Pas dy raunde bisedimesh pa një rezultat konkret, ambasadorët kanë bërë të ditur se dy liderët politikë duhet të dalin më në fund nga negociatat me një rezultat konkret. Ndërkaq, kreu i delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan, tha se “ndërkombëtarët nuk do të japin asnjë propozim konkret lidhur me situatën aktuale dhe se propozimet e zgjidhja duhet të vijnë nga faktorët e brendshëm nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi”.

Gjatë një interviste të dhënë për radion “Deustche Welle”, ambasadori Helmut Lohan ka qenë edhe më i qartë: “Në fakt, nga këndvështrimi i KE-së, pyetja për të cilën duhet të marrë një përgjigje është: A e plotëson Shqipëria kriterin politik për anëtarësim në BE? Dhe është shumë e qartë që nëse Parlamenti i Shqipërisë vazhdon të mos funksionojë si duhet edhe për një periudhë tjetër kohore, atëherë Shqipëria ndodhet përballë një rreziku të madh që komisioni të mos ketë mundësi të rekomandojë hapjen e negociatave për pranimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Prandaj është e rëndësishme që për hir të interesit të integrimit europian të Shqipërisë, drejtuesit politikë të Shqipërisë të mos lenë të kalojë rastin e tryezës së rrumbullakët presidenciale për të hedhur hapa konkretë drejt gjetjes së një zgjidhjeje”. Diplomati gjerman, që drejton zyrën e Brukselit zyrtar në Tiranë, e ka bërë të qartë se “nuk ka asnjë arsye për të duartrokitur apo lavdëruar ndonjë hap të veçantë në këtë proces. Dialogu politik mes palëve nuk është si në një lojë tenisi, ku çdo set komentohet nga dikush. Besoj se ky proces do të çojë në një zgjidhje të suksesshme brenda kohës së duhur”. Diplomatët e vendeve të Bashkimit Europian kanë përcjellë mesazhet e kancelarive të tyre drejt politikës shqiptare, por ndryshe nga takimet me krerët e mazhorancës dhe opozitës, kanë zgjedhur qëndrimin e përbashkët drejtpërsëdrejti për publikun shqiptar. Qëndrim që ka qenë një ultimatum i qartë, kryesisht drejtuar qeverisë. Këtë e shpreh edhe ambasadori Lohan në intervistën e tij, ku thekson se “të gjithë drejtuesit politikë të Shqipërisë kanë shpallur gjithmonë integrimin europian të vendit si një nga objektivat e tyre parësore, më të rëndësishme. Dhe vërtet ky objektiv ka qenë dhe mbetet forca e madhe lëvizëse që ka qëndruar dhe qëndron pas politikave të tyre. Prandaj mendoj se baza e ecjes drejt konvergimit të qëndrimeve të tyre të kundërta deri më tani është perspektiva e integrimit europian të Shqipërisë. Kjo perspektivë është në mendjen e tyre gjatë gjithë kohës dhe sidomos në këtë situatë të veçantë”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›