E Diel, 1 Nëntor 2026

Monument e muze për Ibrahim Kodrën në Ishëm

08/02/2010  DURRES- Është përuruar në Ishëm të Durrësit monumenti në nderim të piktorit të madh shqiptar me famë botërore Ibrahim Kodra. Fondi prej 2 milionë lekësh nga Këshilli i Qarkut Durrës ka mjaftuar për të gdhendur e përjetësuar në mermer monumentin, i cili do të pasohet me ndërtimin e muzeut kushtuar figurës së kubistit të fundit në pikturë, Ibrahim Kodra, i cili ka kërkuar që trupi i tij të prehet në Ishmin e vendlindjes së tij. Vepra është punuar nga arkitekti Viktor Dhimgjini dhe skulptori Spiro Mazhe, ndërsa është zbuluar në ditën e përurimit nga ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinad Xhaferri. Kjo ministri synon të shndërrojë vendin ku pushon trupi i piktorit Kodra në vend pelegrinazhi për të gjithë dashamirësit e artit, si dhe për të gjithë vizitorët e huaj të interesuar për të fiksuar në celuloid imazhe pranë monumentit me emblemën e këtij piktori të madh. Komuna e Ishmit nga ana e saj ka prezantuar dje edhe projektin për ngritjen e një muzeu me emrin e Ibrahim Kodrës, kurse ministri Xhaferri ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar me fondin që do të kërkohet. Restaurimi i kalasë do të kërkojë 10 milionë lekë, kurse ndërtimi nga themelet i muzeut ende nuk ka një preventiv të plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›