E Diel, 1 Nëntor 2026

Penalizohen kolektivisht 25 familje në Plazh

08/02/2010  Nuk paguan faturat e energjisë, fqinjët e tyre pa drita
DURRES- Familjet e një pallati në Plazhin e Durrësit janë penalizuar për shkak të mospagesës së energjisë së banorëve që jetojnë bri tyre. Janë 25 familje që kanë kaluar ditët pa energji elektrike vetëm pse furnizohen me drita nga e njëjta kabinë ku marrin mospaguesit debitor. Të ndëshkuarit janë ankuar në OSSH duke marrë edhe përgjigje pozitive, por realisht ata janë ndeshur në mënyrë të përsëritur me ikjen e dritave pa asnjë shkak. Gjithnjë sipas këtyre banorëve që jetojnë në një palla disakatësh tek Ura e Dajlanit, në hyrje të Plazhit, çështja ka të bëjë me pamundësinë e OSSH-së për të veçuar nga e njëjta kabinë paguesit e rregullt nga mospaguesit. Punonjësit e kësaj shoqërie e kanë pasur më të lehtë të ulin mashën duke fundosur në errësirë dhjetëra familje sesa të merren me prerjen e energjisë në mënyrë individuale. Një masë e tillë e ndëshkimit kolektiv nga ana e elektrikut ka ndodhur edhe në pallate e lagje të tjera. Sapo banorët janë ankuar tek krerë të OSSH-së, pallatit i janë lëshuar dritat për t’iu hequr pas disa ditësh veprime që kanë risjellë të njëjtat debate dhe probleme. Zona turistike e Plazhit ka fituar disa investime lidhur me përmirësimin e tensionit dhe shpërndarjen e ngarkesës në blloqe. Pas shtrirjes së kabullit 20 kv dhe linjës ABC, OSSH ka mundur të ulë në mënyrë të dukshme humbjet në linjë dhe të rrisë arkëtimet. Plazhi e ka nivelin e faturimeve 88 për qind, kurse humbjet kanë zbritur në 10-12 për qind dhe kjo ka përmirësuar treguesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›