OSSH kufizime të energjisë elektrike
08/02/2010 Banorët të revoltuar
FIER- OSSH Fier vazhdon të ndëshkojë abonentët fierakë me kufizime të energjisë elektrike jo vetëm në zonat urbane, por edhe ato rurale ku në këto të fundit kufizimet shkojnë në mbi 3 orë. Këto kufizime të energjisë elektrike ndodhin zakonisht paraditeve, pothuajse në çdo lagje të qytetit të Fierit duke shkuar nga 1 deri në 2 orë, ndërkohë që në zonat rurale edhe më tepër. Nga OSSH-ja, por edhe nga transmetimi i energjisë si zakonisht nuk jepet asnjë shpjegim për këtë informacion pasi u është ndaluar për të dhënë shpjegim medies, duke nxjerrë si pretekst privatizimin nga cekët. Me gjithë rezervat ujore të bollshme, por edhe nivelet e larta të arkëtimeve në qytet, të cilat kanë kaluar madje edhe planifikimin, abonentët sërish janë të ndëshkuar me furnizimin jo të vijueshme të energjisë. Ndërprerjet ndodhin jo vetëm në ditët me shi e stuhi, por edhe në ditët me diell dhe nuk merret asnjë përgjegjësi mbi këtë situatë. Ajo vazhdon të jetë e njëjta edhe më ndërhyrjen e institucionit të prefektit. Edhe pse tani këtë energji çdo abonent duhet të paguajë me 13% më lart si çmim, jo vetëm që ndëshkohet, por edhe nuk merr dot as shpjegim se kush është arsyeja e ndërprerjeve.