Monumentet e kulturës drejt rrënimit
GJIROKASTËR- Çatitë dhe suvatë e jashtme përbëjnë problemin më të madh të shtëpive karakteristike gjirokastrite. Ky është rezultati i rivlerësimit të kryer në 56 shtëpi, që mbajnë statusin monument kulture të kategorisë së parë. Projekti i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare u realizua gjatë dy muajve të këtij viti, gjatë të cilit u evidentuan problematikat aktuale që mbartin këto godina, duke sjellë panoramën e gjendjes së tyre.
Sipas raportit të hartuar nga specialistët, përveç çative dhe suvatimeve të jashtme, kryesisht atyre me çatma, këto banesa shfaqin gjithashtu probleme edhe në mjediset e brendshme, si në tavane, dritare, porta, piktura murale apo të pjesëve me dru. Drejtori i këtij institucioni, Spartak Drrasa pohon se ky rivlerësim do tu shërbejë specialistëve të monumenteve të kulturës për hartimin e politikave të posaçme për objektet që mbajnë këtë status.
Raporti i detajuar do ti dërgohet institutit të monumenteve të kulturës, për të rivlerësuar gjendjen dhe nevojat aktuale të banesave në qendrën historike të qytetit të Gjirokastrës.
E.Bani