Plagos 38-vjeçarin dhe më pas vret veten
GJIROKASTËR- Një sherr banal është kthyer në një tragjedi të vërtetë, me një të vdekur dhe një të plagosur. Ngjarja u regjistrua pas mesditës në fshatin Sofratikë të komunës së Dropullit të Poshtëm.
Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se shtetasit Agim Dida, 55 vjeç, banues në Luftinë, Tepelenë dhe Alket Salaj, 38 vjeç, banues në Hallkomemaj, Tepelenë, duke pirë kafe në njërin prej lokaleve të fshatit Sofratikë, janë grindur me njëri-tjetrin.
Më pas, shtetasi Agim Dida e ka plagosur me pistoletë në gjoks shtetasin Alket Salaj, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Dida është larguar në drejtim të fushave, ku pas 500 metrash ka qëlluar veten me pistoletë dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme”, bëjnë të ditur këto burime.
Sipas dëshmive të para sherri ka ndodhur për motive banale, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. /E.B/