Monumenti i 100-vjetorit të pavarësisë, autorët mohojnë plagjiaturën

Visar Obrija (Kosovë) dhe gjermani Kai Kiklas, dy autorët e bocetit fitues për monumentin e pavarësisë kanë hedhur poshtë çdo akuzë për plagjiaturë, ndërsa kanë shpjeguar detajet teknike të projektit të tyre. Në të parin prezantim publik, arkitektët kanë konfirmuar se monumenti do të vendoset në park dhe jo në qendra të banuara.
“Projekti ynë është konceptuar që të vendoset në një park ose hapësirë të gjelbër”, kështu kanë deklaruar gjatë një konference në Galerinë Kombëtare të Arteve, dy autorët fitues të bocetit për monumentin e 100-vjetorit të pavarësisë. Ata i kanë dhënë në një farë mënyre zgjidhje dyshimeve se ku mund të vendoset ky monument.
Obrija dhe Kiklas ende nuk thonë një shifër përfundimtare se sa mund të kushtojë realizimi i monumentit të tyre, që do të ketë për bazë çelikun dhe bronzin, por dihet se 35 mijë euro shkojnë për ta si shpërblim artistik.
Gjatë konferencës për shtyp, arkitektët Visar Obrija dhe Kai Kiklas kanë shpjeguar edhe konceptin e tyre për monumentin e 100-vjetorit të pavarësisë.
“Ky projekt përbëhet nga dy trupa të cilët paraqesin një kullë të hapur dhe të rrotulluar. Njëra pjesë ka vetëm mbulesë nga ana e sipërme, ndërsa pjesa tjetër ka vetëm dyshemenë. Nëse vizitori do të qëndronte në trupin e parë që ka vetëm një mbulesë, atëherë i krijohet ideja e shtypjes dhe izolimit, ndërsa trupi i dytë është i hapur nga lart dhe i zbuluar dhe përcjell ndjesinë e lirisë dhe pavarësisë, ndërsa dyshemeja e tij simbolizon themelin mbi të cilin është ngritur liria.
Në brendinë e këtyre dy mureve do të paraqiten dy elemente specifike që ndërlidhen drejtpërdrejtë me ditën e shpalljes së pavarësisë. Në brendinë e pjesës së parë të monumentit do të paraqitet deklarata e pavarësisë e shkruar me lazer, ndërsa në brendinë e pjesës së dytë do të paraqitet shqiponja dykrenare. Ndërkaq, specifikat e monumentit në tërësi kanë për qëllim që t’i kujtojnë vizitorit se liria dhe pavarësia nuk janë vetëm akt, por para se gjithash janë procese të vazhdueshme, për arritjen e të cilave është dashur shumë mund dhe sakrificë, dhe për mbajtjen dhe konsolidimin e të cilave nevojitet shumë punë, gjithashtu, kanë shpjeguar arkitektët. /gazeta-Shqip/