E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monumenti i Pavarësisë, përfundon votimi i publikut

Dita e mërkurë është afati i fundit i votimit të publikut, votat e të cilit do të jenë sugjeruese për Komisionin Shtetëror të Festimeve. Votat e publikut, së bashku me pikët me të cilat juria ka vlerësuar pesë idetë më të mira, do t’i prezantohen Komisionit Shtetëror, i cili do të zgjedhë monumentin fitues.

Sipas votimit në faqen zyrtare të GKA-së, monumenti i parapëlqyer vazhdon të jetë ai i skulptorit gjerman Jorg Plikat, i cili propozon një monument lehtësisht të kuptueshëm, dy hallka të hapura zinxhiri që simbolizojnë çlirimin e popullit.

Shumë afër më të qëndron edhe monumenti i bashkëpunimit mes artistit nga Kosova, Visar Obrija, dhe gjermanit Kai Roman Kiklas. Idenë e tyre ata e kanë shprehur përmes një banese të hapur si dy gjysma kubi ku njëra gjysmë mban çatinë e tjetra platformën, mes të cilave qytetarët mund të kalojnë.

Ata që kanë parë nga afër pesë bocetet në garë për çmimin e parë, jo vetëm kanë votuar, por edhe kanë lënë komentet e tyre. Ndër komentet ka pasur edhe nga ata që nuk kanë pëlqyer asnjërin prej projekteve finaliste.

Votimi i publikut ishte faza e dytë e këtij konkursi ndërkombëtar. Tashmë mbetet vetëm përzgjedhja e fituesit dhe më pas vendimi për sheshin ku do të ngrihet monumenti. Është hedhur ideja që monumentet e tjerë që nuk do të fitojnë një vend në kryeqytet, të vendosen në qytete të tjera të Shqipërisë.

Në konkurs u paraqitën 61 artistë me rreth 80 bocete, ndër të cilët u përzgjodhën pesë më të mirët e artistëve Thoma Thoma, Pjerin Kolnika, Blerta Xhomo & Ilirjan Shima, Visar Obrija & Kai Kiklas si dhe Jorg Plikat.
/Start/

                                                                                             2012-04-18 13:35
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›