Monumenti që po përçan Turqinë
Pas disa muajsh grindjeje, qeveria turke filloi rrënimin e memorialit kushtuar pajtimit me armenët, në kufirin mes dy shteteve. Rrënimi i monumentit ndezi një debat politik, i cili zbardhë marrëdhëniet e rënda armeno-turke.
Monumenti i lartë 24 metra, që paraqet një njeri të ndarë përgjysmë, kritikohej ashpër nga nacionalistët turq. Nga ana tjetër ai mbrohej nga artistët, si “monument i njerëzimit”.
Yasin Aktay, kryetar Institutit për Studime Sstrategjike, mendon se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Armenisë nuk “ka vdekur ende”, ndonëse as nuk është “tepër i gjallë”. Në fund do të gjendet rrugëdalja.
“Armenia na nevojitet për shkak të paktit të parashikuar me Iranin dhe për bashkëpunimin rajonal që rezulton prej tij. Por, në konfliktin e Karabakut Armenia gjithashtu duhet të ndërmarrë një hap përpara”, thotë ai.
E në konfliktin e Nagorni Karabakut Turqia mban anën e Azerbajxhanit, dhe kërkon që Armenia të përfundojë okupimin e territorit të Azerbajxhanit. Kjo qasje ekziston që nga lufta mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, e viteve 1992 -1994. Që atëherë Armenia mban të pushtuar enklavën azere të populluar kryesisht nga armenët, dhe një korridor. Shkak i bllokadës në konfliktin e Karabakut, sipas Aktay, është "dinamika e brendshme" e këtyre dy vendeve. Për shkak të zgjedhjeve të ardhshme asnjëra palë nuk dëshiron të „japë llogari” se përse nuk bënë „hapa të guximshëm”.
Megjithatë, çështja e monumentit përkujtimor duhet të shkëputet nga marrëdhëniet turko-armene.
Pengohet afrimi
Sipas ekspertit për politikë të jashtme dhe gazetarit të gazetës së turke "Habertürk", Soli Ozel, rrënimi i monumentit i përshtatet Azerbajxhanit. Sepse, falë rrënimit nuk pritet ndonjë ç’tensionim ndërmjet Turqisë dhe kundërshtarit të tij, Armenisë. Ndonëse, kjo s’do të ketë as efekt pozitiv e as negativ në marrëdhëniet ndërmjet Armenisë e Azerbajxhanit.
Megjithatë, Ozel kritikon vendimin për rrënimin e monumentit.
“Prishja e monumentit është si një gozhdë në arkivolin, në të cilin gjithsesi gjendet politika e ç’tensionimit ndërmjet Turqisë e Armenisë, e filluar me aq vështirësi", thotë Ozel.
Nacionalistët e papajtueshëm
Kryetari i OJQ’së nacionaliste Qendra Turke për Studime Strategjike (TÜRKSAM), Sinan Ogan, është kryesues i listës lëvizjes nacionaliste (MHp) në zgjedhjet parlamentare të 12 qershorit, për provincën kufitare Igdir. Ogan nuk sheh “asgjë artificiale” në diskutimin për largimin e monumentit.
Për të është shumë e vështirë të flas për miqësinë me Armeninë.
" Çdo vit, më 24 prill, armenët pretendojnë se Turqia ka bërë gjenocid ndaj tyre. E konsiderojnë malin Ararat si territor të vetin, dhe që nga pushtimi i malit Karabak e mbajnë të okupuar territor azerbajxhanas. Armenia duhet patjetër të bëjë një hap në konfliktin e Karabakut”, mendon Ogan.
"Vetëm një monument"
Gazetari turk me origjinë armene, shkrimtari Etyen Mahcupyan, beson se monumenti nuk është “rezultat i një nonsensi”. Përkundrazi, ai nga ndërtuesi i tij, Mehmet Aksoy, është quajtur "një monument i njerëzimit" dhe "një simbol i miqësisë". Sipas tij, rrënimi i këtij monumenti s’do të ndikojë në marrëdhëniet armeno-turke.
"Fundja ai është vetëm një monument, as më pak e as më shumë”, shprehet Mahcupyan.
Ish-kryetari i bashkisë së qytetit Kars, nga partia opozitare popullore në opozitë, Naif Alibeyoglu, shikon me trishtim zhvillimet që ndërlidhen me monumentin që është porositur nga vetë ai. "Jo vetëm në Armeni, por edhe në Evropë dhe në gjithë botën donim të dërgonim porosi se Kaukazi mund të jetë ishull i paqes. Është keq që ky humanizëm tani po nëpërkëmbet”, ka thëne ai.