Moodys: Borxhi publik rrezik për Shqipërinë
Borxhi i lartë publik që ka Shqipëria e vë përballë një rreziku të nivelit mesatar ndaj falimentimit. Ky parashikim vjen së fundi nga Moodys, një nga agjensitë e mëdha të vlerësimit të riskut.
Ky parashikim nuk vjen papritur. Sinjalin e parë për kohë të vështira në ekonominë e Shqipërisë e dha në fillim të këtij viti FMN. Në raportin Një vështrim në ekonominë botërore, 2012, FMN e rendit Shqipërinë ndër 26 vendet më të rrezikuara nga kriza në eurozonë, që pritet të kenë tkurrje të mëdha të rritjes saj ekonomike nënvizonte raporti në fjalë. FMN parashikon që Shqipëria këtë vit do të ketë një rritje ekonomike prej 0,5 %, më të ultën në gjithë Europën Jug- Lindore, që pritet ta ketë 0,7 %. Shkakun kryesor për këtë tkurrje të rritjes ekonomike FMN e gjen në transferimin në Shqipëri të krizës së eurozonës dhe sidomos asaj në dy vendet fqinjë, Greqi dhe Itali, partnere kryesore ekonomike të Shqipërisë. Si pasojën më të dukshme dhe më të dëmshme për ekonominë e Shqipërisë FMN paraqet uljen e dërgesave monetare- remitancave- në Shqipëri nga rreth 1 milion emigrantët shqiptarë, në Greqi dhe Itali, dërgesa që prej 20 vitesh kanë qënë karburanti kryesor i rritjes ekonomike të Shqipërisë.
Në këtë kuadër të parashikimit nga FMN për kohë të vështira në ekonominë e Shqipërisë vendoset edhe vlerësimi i agjensisë Moody’s për një rrezik mesatar për falimentim. Sipas kësaj agjensie rreziku vjen nga borxhi i lartë publik, financat e dobëta të qeverisë dhe nga një situatë ekonomike të përshkruar prej saj si të tillë ku edhe pse ekonomia mbeti relativisht e qëndrueshme gjatë krizës botërore 2008- 2009, Shqipëria ende nuk ka nisur rimëkëmbjen ekonomike.
Prof. Dr. Zef Preçi, ekspert i pavarur në fushën e ekonomisë, Drejtor i Institutit të Studimeve Ekonomike me seli në Tiranë mbështet pjesërisht këtë analizë të Moody’s dhe rendit edhe faktorë të tjerë që vënë në rrezik ekonominë.
Ekonomia shqiptare ka filluar ngritjen pas krizës botërore të 2008- 2010-ës. Borxhi publik është kaq i lartë sa qeveria nuk ka asnjë mundësi për ta rritur atë më tej. Ka një ngurtësim, frenim apo tkurrje të kërkesës agragate të brendshme. Kjo do të thotë që bizneset kanë vështirësi në mbajtjen në punë të punëtorëve, shitjen e prodhimit dhe si pasojë në sigurimin e fitimeve. Kjo situatë çon pastaj në vështirësi të autoriteteve fiskale për të marrë nga bizneset taksat dhe tatimet për të siguruar kështu të ardhurat në buxhetin e shtetit,thotë Zef Preçi.
Rrezik i dyfishtë nga faktorë ekonomikë dhe politikë
Në vlerësimin e Shqipërisë si një vend me një risk mesatar për falimentim luajnë rolin e tyre edhe faktorë politikë. Kriza e gjatë politike, bllokimi i reformave, mosplotësim i 12 prioriteteve të BE kanë sjellë refuzimin për dy vjet rrjesht të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ky refuzim dëmton nga mjëra anë imazhin e Shqipërisë në vendet e BE dhe përtej tyre dhe nga ana tjetër largon në një kohë të pacaktuar financimet e BE për vendet që marrin këtë status.
Tensioni i vazhdueshëm mes partive kryesore politike ka dëmtuar përpjekjet e Shqipërisë për t’u pranuar si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, vëren agjensia Moody’s në vlerësimin e saj për Shqipërinë. Ajo arrin në përfundimin se rreziqet për faliment janë të dyfishta pasi vijnë nga faktorët ekonomikë dhe nga ato politikë. Borxhi publik i qeverisë dhe ngadalësimi i ritmeve në procesin e integrimit europian konsiderohen nga kjo agjensi si rreziqet kryesore për mundësinë e shkarjes së vendit drejt falimentimit.
Çfarë duhet bërë që Shqipëria të shmangë këto rreziqe?
Mbushja e buxhetit të shtetit është një parakusht që kjo shmangie të fillojë të funksionojë. Një nga rrugët më efikase sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preçi është ulja e arbitraritetit të administratës tatimore në marrëdhëniet e saj me biznesin.
Do të ishte një hap në drejtimin e duhur rishikimi nga ana e qeverisë i kuadrit rregullator, me synim zvogëlimin e arbitraritetit të administratës fiskale në marrdhëniet e saj me biznesin, për t’i dhënë mundësi biznesit të rritet, të fuqizohet dhe për pasojë të ketë mundësi të paguajë taksat, tatimet në buxhetin e shtetit sugjeron eksperti ekonomik Zef Preçi.
Veç shëndoshjes së buxhetit të shtetit vitale për zhvillimin ekonomik komsiderohen investimet e huaja. Eneida Guria, Drejtore Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim, thotë për programin shqip të DW se interesi i investitorëve të huaj nuk ka pësuar rënie. Sipas saj ka madje një interes në rritje të investitorëve gjermanë.
Gjermania dhe Austria kanë në Shqipëri një prani shumë të madhe me disa projekte, kryesisht në sektorin energjitik, bankar dhe të kompanive të shërbimit. Ka rritje të interesit gjerman për prodhime në fushën e manifakturës thotë Eneida Guria.
Agjensia Moody’s sugjeron përmirësimin e kapaciteteve institucionale, një gjyqësor efikas dhe luftë më të sukseshme se deri tani kundër korrupsionit për të mos penguar investitorët e huaj të vijnë në Shqipëri. Ajo e konsideron marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE një mundësi të madhe për të marrë fondet përkatëse nga BE për zhvillimin e institucioneve, gjë mund të ndikojë për mirë në situatën ekonomike. /DW/