Moon: Jo më kohë për të humbur
Kajro - Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon ka mbërritur në Egjipt, në stacionin e parë të udhëtimit në Lindjen e Afërt, për të diskutuar me presidentin Hosni Mubarak mbi iniciativën për armëpushimin në Rripin e Gazës. Ai tha se "nuk kishte më kohë për të humbur" për dhënien fund të luftës së Gazas mes Izraelit dhe Hamasit. "U kërkoj të dy palëve të ndalojnë tani, të ndalojnë luftimet tani, nuk ka më kohë për të humbur", i tha Ban Ki-moon shtypit pas një takimi me presidentin Hosni Moubarak, në fillim të turneut të tij në Lindjen e Mesme. Më vonë ai do të shkojë në Izrael, në Jordanin Perëndimor, në Liban dhe në Kuvajt. Pak para udhëtimit të tij Ban kërkoi sërish ndihmë humanitare për popullsinë civile në Rripin e Gazës. Aviacioni izraelit vazhdoi natën sulmet e tij. Sipas mediave izraelite avionët e ushtrisë qëlluan rreth 35 tunele, që shërbenin për kontrabandën e armëve. Luftimet në tokë kanë vazhduar pa ndërprerje. Për herë të dytë brenda një jave në veri të Izraelit ranë disa raketa, që vinin nga Libani. Të dhëna për viktima nuk ka.