Morali i frikës
Një fushatë elektorale, aq më tepër kur është shqiptare, pa dyshim, ka shumë rrëshqitje, por flama që i shkakton shumicës mbi sistemin nervor, ndoshta nuk ka kapluar masën e homo-elektoratius që po dendet në mitingje.
Duket sikur këtyre, më e pakta gjë që u intereson, janë pikërisht çka nxjerrin prej goje skifterët e tribunave.
Më e theksuar është kjo te PD-ja, e identifikuar që në agimet e saj si parti populiste, si pasojë e një lideri që vuan nga mania për t'i parë turmat në ekzaltim total, madje, mundësisht, kur të shohin ATË, të katandisen si fanset e Bitëllsave në vitet `60-'70-të, të shkulnin flokët nga marazi, të shkumëzojnë në gjendje të fikëti, e, mos o Zot, mund ta japin edhe jetën aty, duke nxjerrë frymën e fundit bashkë me fjalët magjike: "Shqipëria po ndryshon"!
Nga ana tjetër, lideri socialist, po mban fjalime me letër, si për të përçuar mesazhin se ndjen njëfarë përgjegjësie për atë që thotë, ndonëse është "ati i batutës" në publicistikën dhe politikën shqiptare të 18 viteve të fundit.
Më "interesantja" në këto javë të nxehta fushate është ndryshimi i kursit të sulmit të kryetarit të PD-së ndaj kundërshtarit të tij, nga akuzat për leje ndërtimi, te akuza për moskandidim për deputet.
Ndoshta kërkon të shfrytëzojë indet delikuente të asaj pjese të elektoratit që nuk i duhen programet, por vdes t'i shohë të dy duke u ngucur me njëri-tjetrin, sipas variantit fëminor të daljes tek për tek, në mundje apo në grusht.
Nuk është e qartë se si janë bërë llogaritë në selinë blu për avantazhin e kësaj akuze budallaqe. Është jo vetëm budallaqe si akuzë, por dhe idiote në tërë cektësinë e vet, se thellësi nuk ka.
Berisha e kërkon Ramën të kandidojë, sikur e fton n`tapet, Është akuzë idiote, se nuk është akuzë. Rama nuk do të kandidojë dhe kjo është dëshirë e tij, të cilën mbi të gjitha, e ka argumentuar shqip: Kush do të jetë qeveritar, nuk ka pse të jetë dhe deputet.
Nuk është akuzë, sepse vendimi i Ramës për të mos kandiduar, nuk ka asnjë kosto për Shqipërinë e shqiptarët dhe nëse nuk ka një precedent të tillë në Europë, kjo nuk përbën asnjë dramë.
Në këtë pikë, lideri i PD-së do ishte më dinjitoz po të rendiste dëmet që vërtet mund t'i vijnë vendit prej moskandidimit të Ramës. Sigurisht që nuk ka. Dhe ai e di këtë, por bërtet që askush të mos ketë kohë të kuptojë.
Tjetër aspekt që ia shton idiotësinë akuzës në fjalë, është fakti se me këtë sistem zgjedhor që po aplikohet, Rama e ka mandatin e deputetit në xhep pa asnjë kokëçarje. Pastaj, nëse vërtet ushtria e socialistëve është nisur pa komandantin në betejë, kjo duhet ta gëzojë kundërshtarin e jo ta irritojë sa gati t'i pëlcasin damarët prej marazit.
Kjo, në fakt, i shërben një degradimi moral të politikëbërjes në këtë vend.
E para, se, edhe pas 18 vjetësh, gjatë një fushatë elektorale, vijon i ushqen njerëzit me kotësi që nuk kanë asnjë peshë për jetën e përditshme; nuk ngrihet dot në nivelin e argumentimit të qeverisjes, por u mëshon metodave të përdhunimit psikologjik të turmave, duke nxitur urrejtje pa limit për tjetrin "ndryshe".
E dyta, sepse servir modelin imoral e të mbrapshtë të "frikës", që në fakt duhet të jetë "frikë nga fitorja", si përgjegjësi e madhe para votuesve, që ndonjë ditë mos të të shporrin nga pushteti si ca vite më parë, me presh - e jo nga humbja, që tek e fundi, të dhuron dhe fitoren e lirisë nga përgjegjësia, për atë që ndoshta nuk do mundesh ta bësh ashtu siç duhet, duke u hyrë në hak njerëzve.
Por, ky është në fakt një kostum moral që terrorit euforik të kësaj fushate, as nuk i vjen e as nuk i shkon.