Testet e pazakonta të PD për fushatën
Gati dy javë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, Partia Demokratike ka krijuar një dinamikë krejt të çrregullt të ritmit elektoral dhe integritetit të fushatës elektorale. Kryesuesit e listave të deputetëve në 12 qarqe kanë tanimë balanca shumë të ndryshme veprimtarish publike, që në njëfarë mënyre dëshmon dhe aftësitë e tyre individuale për të qenë aktorë politikë. Edhe pse me probleme të forta për mbështetjen ndaj PD, qarku i Elbasanit dhe ai i Fierit bëjnë diferencë të madhe me qarqet e tjera, jo vetëm në dinamikën e veprimtarive, por dhe në skanimin e gjithë elektoratit dhe prekjen e tij. Kryesuesit e këtyre dy qarqeve, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, realisht po dëshmojnë së paku aftësi në fushatën elektorale, edhe pse rezultati mund të jetë surprizues kundër tyre. Duke qëndruar tek aftësia për të bërë fushatë, nëse kalon në Elbasan apo në Fier, e kupton prezencën e Partisë Demokratike, dhe e kupton se aty po bëhet një betejë. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për qarkun e Durrësit, por aty nuk është shumë meritë e listës së deputetëve, por dhe e elektoratit të PD, që është shumicë e konsoliduar dhe e motivuar të rimbështesë PD.
Në ndryshim nga këto tri qarqe, Tirana është modeli i mungesës së fushatës elektorale. Deri më sot, përveç mitingut të fillimit të fushatës, i cili ishte një dështim i plotë dhe i panjohur ndonjëherë për PD, nuk është bërë më asnjë veprimtari publike. Është e pabesueshme, por ka mbi dy javë që kryeqyteti, i cili duhet të ishte epiqendra e fushatës dhe të rrezatonte idetë e fushatës në gjithë Shqipërinë, është në gjumë të plotë. Kryetari i PD së Tiranës, Aldo Bumçi, e ka kthyer hutimin nga dimension personal, në dimension politik për qarkun e Tiranës. Gjithçka është në kaos dhe asnjë nëndegë e PD në Tiranë nuk ka më një axhendë për fushatën. Tirana, e cila duhet të ishte tani rrezatuese e fushatës kombëtare, është dëshpërimi i kësaj fushate. Dhe kjo mund t'i kushtojë rëndë PD, e cila po përpiqet të justifikojë dështimin në Tiranë me kompensimin që mund t'i vijë në vota nga Bathorja dhe Kamza.
E njëjta situatë kaotike dhe pa asnjë nerv fushate është në qarkun e Gjirokastrës. Kryesuesi i listës, Genc Ruli, i cili mezi durohet nga strukturat e PD në Gjirokastër, për shkak të politikave të tij klienteliste në punësim dhe favorizim për interesa financiare, ka shkatërruar fushatën në rrethin e Tepelenës dhe Përmetit. I dyti i listës, i cili është dhe objektivi maksimal i PD, Spiro Ksera, është i padëshiruar në Tepelenë, mes të tjerash dhe për shkak të konfliktit gjyqësor të vitit të kaluar, ku u dënuan dy djem të rinj për shkak të parullave kundër tij, dhe po ashtu është i panjohur dhe i pamirëpritur në Përmet. I sigurt për vendin e tij në Kuvend, Ruli praktikisht ka shkatërruar fushatën elektorale të PD në atë qark, dhe deri më sot janë bërë vetëm disa takime simbolike në strukturat, të cilat kanë qenë objekt sherresh dhe kacafytjesh lokale.
Mungesa e fushatës elektorale ndjehet qartë po ashtu në qarkun e Vlorës, sidomos në zonën e Sarandës. Bregdeti, i cili është armiqësuar me Berishën për shkak të problemit të Kakomesë dhe prishjes nga dhëndri i tij të shtëpive në Jalë, është një problem i ri, me të cilin PD nuk po guxon të përballet. Fatmir Mediu, i vetmi që guxoi të shkonte deri në Sarandë, u justifikua gjatë se "për Kakomenë nuk e kishte ai fajin, por Frangaj dhe Fevziu që i kishin mbushur mendjen doktorit".
E mbetur pa ide dhe pa mbështetje në bazë, PD po sillet në boshllëk dhe në rrethe të tjera që kanë qenë bastione të saj, si në Lezhë apo Shkodër.
Humbja e integritetit të fushatës ndjehet qartë dhe në fjalimet publike të Sali Berishës, i cili shkon në qarqet e largëta të Shqipërisë dhe nuk flet për problemet e tyre, nuk përçon mesazhe për banorët ku shkon, por flet, ose për Skënderbeun, ose për Edi Ramën. Mungesa e ideve në fushatë, dhe mbi të gjitha mungesa e organizimit të fushatës, do të jetë një bilanc i hidhur për kryesuesit e listave të kësaj partie, të cilët, në mënyrë cinike, ngaqë kanë siguruar vendin në Kuvend, ia kanë lënë rastësisë bilancin e zgjedhjeve. Asnjëherë më parë në historinë e PD nuk ka ndodhur që kryeqyteti të heshtë deri dy javë para zgjedhjeve. Koha dy javë para zgjedhjeve ka qenë kulmi i dinamikës së fushatës në çdo histori elektorale të PD, kurse këtë radhë ende nuk është starti i fushatës. Berisha po paguan me këtë rast talljen e tij me PD, mbylljen e saj dhe diktimin e vet për të vënë në krye të degëve të mëdha si Tirana individë që nuk e mbajnë dot as peshën formale të posteve që dhuron Berisha për shkak të nevojës për t'i përdorur.