E Diel, 1 Nëntor 2026

Morali i politikanit apo morali i fushates?

Publikimi i fotove të Edi Ramës gjatë fushatës elektorale aktuale risjell pyetjet : Sa ndikon (ose sa duhet të ndikojë) moraliteti personal dhe familjar i kandidatëve mbi rezultatin e procesit elektoral? Sa produktiv është për një politikan fokusimi mbi moralitetin dhe jetën familjare të kundershtarit?

Në rastin në fjalë, do të ishte gabim të mendonim se sulmet personale janë produkt i një edukate demokratike të pakonsoliduar, tipike për një demokraci në zhvillim. Aspak. Sulmet personale janë pjesë e lojës politike në çdo demokraci, edhe në më të zhvilluarat. Në SHBA gjatë çdo fushate elektorale “zbulohen” fakte mbi jetën personale të politikaneve; Al Gore u akuzua për përdorim marihuane në moshën 21 vjec (akuzë e cila u pranua), Klinton u akuzua për përdorim posti me qëllim shkëmbimin e marrëdhënieve seksuale me Paula Jones etj…

Anketat në terren tregojnë që shumica e votuesve i jep rëndësi moralit personal dhe jetës familjare dhe është absurde të mohosh dometheniën e tyre gjatë një fushate. Nga ana tjetër, efekti i moralit personal mbi votuesit është në përpjesëtim të zhdrejtë me jetëgjatësinë deriatëhershme të karrierës politike të kandidatit që sulmohet.

Le ta shtjellojmë këtë të fundit. Studiuesit e ekonomisë politike e shikojnë shpërndarjen e informacionit mbi kandidatët gjatë fushatës si një lojë mesazhesh (signalling game). Pra, nëse kemi një kandidat pa histori qeverisëse dhe nuk jemi të sigurt mbi aftësitë e tij administrative, përpiqemi të deduktojmë mbi to nga historia e tij personale dhe I konsiderojmë veprimet e tij si mesazhe informuese. Mesazh mbi cilësinë e tij si kandidat përbëjnë edhe opinionet e tij mbi cështje të ndryshme, historia e votimit të tij (nëse ka qenë anëtar i nje legjislacioni në nivel lokal apo kombëtar) si dhe jeta e tij personale dhe familjare. Dhe kjo është normale; na pëlqen apo jo neve si studiues, një përqindje e mirë e votuesve e trajton moralin si tregues mbi kandidatin. Gjithashtu, nuk mund ta skartojme këtë qëndrim si iracional; jemi në një lojë mesazhesh ku cdo mesazh ka një peshë jozero në ndërtimin e opinonit mbi kandidatin dhe nuk mund të ndikojmë kutin vleresues të elektoratit, pra është racional brenda një tërësie supozimesh fillestare.

Nga ana tjetër, kandidatet që konkurrojnë për rizgjedhje dhe kanë një histori qeverisëse nuk janë më një ndryshore elektorale e panjohur. Rrjedhimisht, qoftë fushata e vetë kandidatit, qoftë ajo e kundërshtarit, fokusohet mbi cilësinë e qeverisjes dhe vendimet e marra gjate asaj periudhe. Përshembull, fakti që G.Ë. Bush është një familjar i mirë është domethënës në vitin 2000, kur ky është një kandidat relativisht i panjohur, por jo në vitin 2004, kur ky ka qeverisur për 4 vjet. Në këtë rast fokusimi mbi moralin personal është iracional për të dy palët. Nëse vetë kandidati që konkurron për tu rizgjedhur fokusohet mbi moralin, kjo do të thotë që gjatë 4 viteve ky i fundit nuk ka asnjë masë dhe politikë qeverisëse me efekte pozitive për të reklamuar. Nëse këtë e bën kampi kundërshtar, kjo do të thotë që këta të fundit nuk qenë në gjendje të kritikonin asnjë politikë qeverisëse të kandidatit që kërkon rizgjedhje. Në të njëjtën linjë arsyetimi, është iracionale për votuesit të fokusohen mbi moralin e tij kur ky ka një histori qeverisje nga e cila mund të deduktojmë se si do të qeverisë për 4 vitet e ardhshme, përjashto rastin kur imoraliteti në fjalë ndodh gjatë qeverisjes dhe përbën një informacion mbi kandidatin që nuk dihej para se ky të zgjidhej.
Në këtë dritë, sulmet mbi moralin e Ramës nëpërmjet ekspozimit të fotove të tij prej vitesh më parë, përvec të qenit imorale dhe ndërhyrëse në jetën personale të Ramës, janë kundërproduktive për kampin demokrat. Rama ka plot “gjynahe” gjatë viteve të tij si kryetar bashkie dhe kryetar i Partise Socialiste nëpërmjet të cilave mund të sulmohet; nese kampi demokrat nuk i gjen këto të mjaftueshme dhe fokusohet mbi moralin e tij personal, kjo përbën një mungesë thelbësore sigurie dhe tregon një paaftësi për të ndricuar problemet reale të administratës së Ramës gjatë 6 viteve si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Me sa duket, elektorati shqiptar është më racional nga c’pandehet. Sipas Shekullit, që citon një sërë anketash elektronike, popullariteti i Ramës ndaj Olldashit është rritur me rreth 4% që nga publikimi i fotove. Të shpresojmë që kjo të sherbejë si mësim për të përcaktuar kufirin moral të fushatave politike në të ardhmen.
Pedagog në Universitetin e Maryland-it,SHBA, Doktoraturë në Ekonomi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›