Roskovec, 40 ditë nga vrasja e deputetit, autorët mister
ROSKOVEC/ MAJLINDA RAMA
I gjithë Roskoveci ka përjetuar dhe një herë krimin ndaj deputetit socialist, Fatmir Xhindi, i ekzekutuar në derën e shtëpisë më 2 maj. Sipas traditës, familjarët janë mbledhur për të bërë homazhe dhe nderet 40 ditë pas vdekjes, duke kërkuar dhe një herë zbardhjen e ngjarjes. Bashkë me të afërmit ishin të pranishëm dhe një përfaqësi kandidatësh për deputet të PS-së. Një prej tyre, Gramoz Ruçi u shpreh gjatë vizitës në shtëpinë e viktimës, se: “Ende mbetet një enigmë e madhe vrasja e mikut tonë të ngushtë, Fatmir Xhindit. Ne jemi këtu për të dhënë solidaritet njerëzor dhe shpirtëror për të gjithë familjarët, pasi ai ishte miku ynë, vëllai ynë dhe njeriu që të gjithë e deshëm shumë”. Por i fortë ka qenë reagimi i xhaxhait të Fatmirit. “Kjo që ndodhi ishte shumë e rëndë dhe tepër shokuese. Nuk na vjen mirë sepse kishin mundësi për ta zbardhur në kohë këtë ngjarje. Ato veprime që po bën policia dhe prokuroria kohët e fundit, po të ishin bërë në kohë do të ishte zgjidhur çdo gjë. Në fillim e quajtën një vrasje burracaku, por kjo është një vrasje mafioze”, u shpreh dje Xhemal Xhindi. Në këtë ditë nuk kanë munguar edhe fjalët e djalit të deputetit, njëherazi kandidat në emër të PS-së, Anduel Xhindi. Gjatë ceremonisë së kryer në varrezat e qytetit, ai ka shprehur falënderime për mbështetjen që i kanë dhënë familjes së tij në këto ditë të vështira. Krimi ndaj deputetit socialist ndodhi mbrëmjen e 2 majit, kur ai u qëllua me një breshëri automatiku. Prej asaj kohe, ndonëse ka pasur dhjetëra të shoqëruar, autori nuk është identifikuar ende.