Zyrtari i Kazinit:Votoni PDK e Polin në 28 qershor
Iles Braghetto, Kryetar i Grupit Parlamentar të eurodeputetëve të UDC-së, mbështet PDK-në dhe Polin e Lirisë në zgjedhjet e 28 qershorit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai theksoi se vota për këtë grupim do të thotë forcim i demokracisë në vend.
Zoti Braghetto, ju vini në Tiranë në emër të UDC-së italiane për të mbështetur PDK-në dhe Polin e Lirisë. Cilat janë lidhjet tuaja me demokristianët shqiptarë?
Me PDK-në kemi lidhje miqësore dhe një bashkëpunim produktiv, sidomos gjatë viteve të fundit. Me demokristianët shqiptarë ndajmë të njëjtat vlera politike dhe njerëzore, kemi të njëjtin objektiv politik për krijimin e një Europe të vlerave kristiane dhe liberale. Ne e vlerësojmë shumë faktin që demokristianët shqiptarë po ecin në këtë rrugë, që programi i tyre politik është i ndërtuar mbi të njëjtat parime si edhe programi ynë politik, por të partive të tjera kristian-demokrate të Evropës. Eshtë kjo arsyeja që ne e kemi mbështetur PDK-në, me të cilën tashmë kemi një miqësi dhe bashkëpunim të ngushtë dhe do të vazhdojmë ta mbështetim edhe në të ardhmen.
Përse elektorati shqiptar duhet t’i besojë Polit të Lirisë, pjesë e së cilës është edhe PDK-ja?
Demokracia juaj është e re dhe me gjithë progresin e bërë prapë mbetet një demokraci formale. PDK-ja dhe Poli i Lirisë kanë një program modern dhe evropian, një program të mbështetur mbi vlerat e përbashkëta europiane, që vë individin, njeriun në qendër të politikës së vet dhe është kundër çdo tutele mbi dinjitetin dhe integritetin e jetës së tij. Në këtë program janë primare vlera të tilla si edukimi, solidariteti, prona, shteti i së drejtës dhe primati i individit në raport me shtetin, që janë kode dhe vlera universale të demokracive liberale. Kam bindjen se shqiptarët duke votuar për PDK-në dhe Polin e Lirisë votojnë për vlerat evropiane, votojnë për forcimin e demokracisë në vendin tuaj, votojnë për ndryshimin e cilësisë së jetës individuale dhe të familjeve të veta. Kjo është arsyeja që mbështetjen time dhe të UDC-së për PDK dhe Polin e Lirisë e konsideroj mbështetje për Shqipërinë, për të gjithë shqiptarët.
Ju keni marrë pjesë në hapjen e fushatës së Polit në Shkodër. Si e vlerësoni programin e këtij grupimi të djathtë dhe cili është parashikimi juaj për 28 qershorin?
Këtu mësova se vetëm Poli i Lirisë ka prezantuar një program të shkruar. Grupimet e tjera e prezantojnë programin nëpërmjet premtimeve në tribuna publike dhe në media. Me aq sa jam njohur unë me aspektet e këtij programi elektoral, e vlerësoj atë si një program serioz dhe që garanton një qeverisje demokratike dhe liberale në shërbim të qytetarëve. Në takimin që patëm në Shkodër unë pashë se qytetarët e mbështesin këtë program dhe e shikojnë si shpresë për ndryshimin e Shqipërisë, për integrimin e saj në BE. Unë kam besim se qytetarët shqiptarë do të votojnë për lirinë e tyre, për vlerat e tyre, për dinjitetin dhe integritetin e tyre personal, por edhe për të ardhmen e tyre evropiane. Këtë unë e vërejta në të gjitha takimet që kam patur.
Në përfundim të zgjedhjeve, e mbështesni idenë se Poli i Lirisë duhet të bëjë koalicion vetëm me PD-në?
Unë besoj se Poli i Lirisë dhe PDK-ja do të votohen. Kjo është substanciale për demokracinë. Unë nuk mund të jap këshilla se me kë duhet të bëjë koalicione Poli i Lirisë. E rëndësishme është që të ruhet integriteti politik e programor dhe të garantohet një qeverisje liberale që mbështetet në vlerat evropiane dhe garanton progresin dhe modernizimin e Shqipërisë.
Meksi
Kreu i Polit të Lirisë, Aleksandër Meksi, tha dje gjatë hapjes së fushatës elektorale në Shkodër se ky koalicion do të zgjidhë çështjen e pronave brenda 2009-ës. “Qeveritë nuk mund të bëjnë premtime boshe, sepse kur premtojnë që do bëjnë këtë zgjidhje, do japim këto para duhet të thonë se nga vijnë këto para dhe sa janë. Deri më sot nuk kemi parë asnjë të tillë, as një afat, por vetëm ligje që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Ne jemi për ta zgjidhur përfundimisht këtë çështje brenda 2009-ës”, tha Meksi.