E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morati: Gati të prishim kontratën me Adrianon

Dje pasdite, menaxheri i Adrianos, Gilmar Rinaldi, është takuar me drejtuesit e Interit dhe prishja e kontratës është një nga zgjidhjet që do t‘i ofrohen në tavolinë. Këtë e konfirmon vetë presidenti zikaltër, Masimo Morati. "Ndoshta po, prishja e kontratës mund të jetë një zgjidhje", ka thënë Morati, i cili nuk ka marrë pjesë në takim: "Të lëmë të takohen personat e duhur, avokatët e të tjerët dhe pastaj të shohim se çfarë do të vendoset". Morati nuk mendon se, me prishjen e kontratës, do të kërkohet që Adriano të mos luajë për skuadrat konkurrente. "Nuk mund t‘i heqim askujt lirinë për të bërë zgjedhjet që dëshiron në jetën e tij, ka shpjeguar ai. Në këtë moment, rrugët janë pak a shumë këto, më pas të shikojmë, nëse ka ide të tjera interesante dhe t‘i vlerësojmë ato". Është e qartë se, Interi dëshiron ta mbyllë sa më parë çështjen. "Ka tre vite që flitet për Adrianon dhe kemi marrë edhe masat e duhura, ka vazhduar numri një i zikaltërve. Tani duhet vetëm të kuptojmë, me gjithë vullnetin e mirë, se cila mund të jetë zgjidhja e duhur, sepse një e drejtë ekziston në jetë". Morati nuk preferon të thotë se ndihet i tradhtuar nga sulmuesi, të cilin e ka trajtuar shpesh si beniaminin e tij. "Në futboll, si edhe në jetë, fakti i të ndjerit i tradhtuar është një ndjenjë që ka pak vlerë, thekson ai. Adriano ka kaluar një periudhë të vështirë, por ne kemi bërë gjithçka të nevojshme". Mësohet se Adriano e ka irrituar Interin: ai kërkon 2 milionë euro për prishjen e kontratës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›