Morati: Murinjo? Trillime, të cilave nuk u kushtoj rëndësi
Lodhja fizike e Interit e shqetëson. Masimo Morati e ka të qartë se pjesa e fundit e sezonit do të jetë e vështirë. "Shpresojmë të jemi në formë", deklaroi presidenti zikaltër për mikrofonat e "Italia 1". "Duhet të jemi në formë të mirë, pasi në pjesën e fundit të sezonit do të luajmë disa ndeshje aspak të lehta. Ka qenë një vit i gjatë, por tashmë duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të rezistojmë deri në fund të kampionatit". Një temë shumë e nxehtë tek Interi është e ardhmja e stolit. Në Angli dhe në Portugali janë përforcuar zërat për një takim me ish-trajnerin e Çelsit, Hoze Murinjo, dhe për një ofertë konkrete që luzitani të zëvendësojë Mançinin. "Për sa më takon mua, mendoj se projekti që kemi nisur duhet të vazhdojë. Në këtë mënyrë ecim përpara pa përjetuar ndonjë tronditje, që nuk dihet sa do të ndikojë". Në këtë mënyrë, Morati ka tentuar të përgënjeshtrojë lajmet për afrimin e Murinjos. Më tej, njëshi i zikaltërve ka vazhduar: "Murinjo, trajneri i ri i skuadrës? Kjo nuk është ideja ime, por e të tjerëve. Asgjë që flitet nuk është e vërtetë. Gjithsesi, këto zëra janë mjaft interesantë, pasi të gjithë presin ndonjë risi në fund të sezonit. Prej shumë vitesh kjo situatë është kthyer në një modë. Kur mungojnë dy muaj nga mbyllja e sezonit, qarkullojnë fjalë që në pjesën më të madhe nuk janë të vërteta. Tashmë jam mësuar me këtë situatë dhe nuk i kushtoj më vëmendje. Shpresoj që të njëjtën gjë të bëjë edhe Mançini". Morati nuk shqetësohet, edhe pse një pjesë e madhe e këtyre zërave kanë ardhur nga njerëz të afërt me Murinjon. "Nëpër gazeta qarkullojnë shumë gjëra që mund të më bezdisin. Kjo është arsyeja përse jam mësuar dhe mundohem gjithmonë mos t‘i lexoj". Në këtë pjesë të fundit të kampionatit, Morati ka folur edhe për penalizimin e skuadrës nga dëmtimet. "Kemi pasur shumë dëmtime. Kjo nuk duhet të përdoret si justifikim, megjithatë ky është realiteti. Për fat të keq, shpesh herë na janë dëmtuar futbollistë të rëndësishëm, ose shumë lojtarë në të njëjtin repart. Ka qenë pothuajse e pamundur për Mançinin që të përdorte rotacionin", përfundoi padroni zikaltër.