Mosli: Videoja, një manovër kundër meje
"Në shumë vende të botës është diçka e jashtëligjshme që të publikosh detaje të jetës private të dikujt pa një motiv të caktuar. Reportazhi i "News of the World" ka shkelur totalisht dhe pa autorizim jetën time private. Po mendoj që të ndërmarr veprime ligjore kundër gazetave të Mbretërisë së Bashkuar". Kjo ishte një nga pjesët më të rëndësishme të letrës së shkruar nga Maks Mosli, që e ka parë veten në qendër të një skandali seksual. Tabloidët britanikë kanë publikuar një video 5-orëshe ku presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), "argëtohej" me pesë prostituta gjatë një orgjie sado-mazokiste. "Sipas informacioneve që më janë kaluar nga burime të mia të afërta pranë policisë britanike, kuptova se në dy javët e fundit ndaj meje është bërë një hetim investigativ që përqendrohej te jeta ime private. Arsyet dhe personat e interesuar për të mësuar se çfarë bëja unë ende nuk më janë bërë të ditur". Pavarësisht skandalit, Mosli ka konfirmuar se do të vazhdojë të qëndrojë në krye të FIA-s. "Kam marrë mesazhe mbështetjeje nga persona të ndryshëm që punojnë pranë Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit dhe nga njerëz që janë të lidhur me botën e sporteve motorikë, përfundoi Mosli. Ata më kanë konfirmuar se jeta ime private nuk është e rëndësishme në punën që bëj dhe se duhet të vazhdoj qëndrimin në postin e presidentit. Jam i lumtur për këtë mbështetje dhe dëshiroj të ndjek këtë këshillë. Tashmë, pikë së pari duhet të riparoj dëmin që i është bërë familjes time, e cila është e pafajshme dhe është bërë viktimë e këtij sulmi që synonte të hidhte baltë mbi mua. Gjithashtu, kërkoj falje për atë që kam bërë".