Rajkard: është kënaqësi të shohësh Bojan Krkiç
Trajneri i Barcelonës, Frenk Rajkard, i ka kushtuar rëndësi të veçantë sulmuesit Bojan Krkiç, 17 vjeçarit që u dha katalanasve suksesin 1-0 në fushën e Shalkes, duke i siguruar ekipit të tij një hap të sigurt drejt fazës tjetër të Ligës së Kampioneve. "Jam shumë i lumtur për Bojan, pasi ai bën gjithçka mirë në fushën e lojës. Çdo vendim që ai merr është i duhuri. Ai luan si një futbollist i madh për skuadrën, pavarësisht moshës së re që ka. Për këtë arsye meriton përgëzime shumë të veçanta. Ai nuk duhet të humbasë modestinë e tij dhe duhet të vazhdojë të punojë, por të them të vërtetën, është një kënaqësi sa herë e shoh të luajë", deklaroi trajneri holandez për yllin e ri të skuadrës, i cili i ka zënë vendin brazilianit Ronaldinjo. Goli ishte mënyra më e mirë për të festuar një mbrëmje perfekte të lojtarit spanjoll, i cili la në hije edhe dy sulmuesit e tjerë të skuadrës, Tierri Henri dhe Samuel Eto‘o. Sipas librit të rekordeve të UEFA-s, ai është lojtari i dytë më i ri që shënon në historinë e Ligës së Kampioneve.