E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morati: “Nuk jam takuar me Murinjon”

Pronari i Interit, Masimo Morati (presdent nga viti 1995) mohoi zërat se ish-bosi i Celsit, Hoze Murinjo ishte përzgjedhur për të zëvendësuar Roberto Mancinin në drejtimin e skuadës zikaltër për sezonin e ardhshëm.
SPEKULIMET
Spekulime mediatike e lidhin portugezin Murinjo me kampionët në fuqi të Italisë, qysh kur Mancini deklaroi muajin e kaluar se do të largohej nga Interi me përfundimin e sezonit, pavarësisht se ai ndryshoi mendje një ditë më pas. Së fundi, një përfaqësues i Murinjos pretendoi se trajneri kishte qenë në Itali për t'u takuar me Moratin, por vetë Murinjo e përgënjeshtroi takimin. "Për mua situata nuk do të ndryshojë sepse ne dëshirojmë të ecim përpara pa bërë asnjë lëvizje të madhe, të cilën ju nuk e dini kurrë nësë do të jetë apo jo pozitive", - tha Morati, djali i Anxhelo Moratit, një tjetër president legjendar zikaltër.
MOMENT I ERRËT
"Janë idetë e njerëzëve të tjerë, por kjo nuk është e vërtetë. Por, gjithsesi është tërheqëse pasi cdo kush është në pritje të ndonjë lajmi të ri. Për shumë vite ju (gazetarët) jeni mësuar të flisni për këto ndryshime dy muaj përpara se sezoni të përfundojë. Unë nuk mund të them asgjë rreth kësaj dhe aq më pak Mancini", - shton Morati, pronari i grupit "Saras", që operon në fushën e naftës dhe kompanisë "Sarlux", e përqendruar në prodhimin energjisë elektrike. Interi është duke kaluar një moment të paqartë si në ndeshjet e fundit në shtëpi ashtu dhe në transfertë, duke qenë shumë larg asaj skuadre magjepsëse të fillimit të sezonit. Në dy ndeshjet e fundit në Serinë A, Interi humbi në shtëpi me Juventusin (1-2) dhe barazoi në Romë me Lacion (1-1).
PADRONI ZIKALTËR
Masimo Morati, 63 vjec, president i Interit nga 18 shkurt 1995 deri më 19 janar 2004 dhe nga 6 nëntor 2006 e në vazhdim.
Për t'i dhënë një dhuratë vetes për 50-vjetorin e tij, Masimo Morati bleu, më 18 shkurt 1995 Interin, duke ia risjellë "pronën zikaltër" familjes, pasi klubi ishte në pronësi të babait të tij, Anxhelo Morati, në vitet gjashtëdhjetë. Morati ka punuar me një projekt të qartë: të krijojë një skuadër të ngjashme me të famshmin "Grande Inter" (Interin e madh) të babait të tij, Anxhelo, duke derdhur shumë të jashtëzakonshme që llogariten në disa qindra milionë euro. Në drejtimin e tij, Interi ka fituar dy tituj kampionë (2005-2006 (në tavolinë), 2006-2007), ndërsa kërkon me ngulm të tretin. Bilancit të tij i shtohen edhe 2 kupa të Italisë (2005,2006), 2 Superkupa të Italisë dhe 1 Kupë UEFA.
I papuni
45-vjecari Hoze Murinjo, djali i portierit Feliks Murinjo, është një i papunë luksi, qysh kur portugezi u largua nga drejtimi i Celsit pas një fillimsezoni jo të mirë. Ish-trajneri i Portos është edhe në planet e Barcelonës e Realit të Madridit. I konsideruar si një nga trajnerët më të mirë në botë, Murinjo ka drejtuar skuadra prestigjioze si Benfika, Poro e Celsi. Në kompeticionet europiane, "special one", sic e quante veten Murinjo, ka fituar Ligën e Kampioneve me Porton (2003-2004) dher Kupën UEFA po me Porton (2002-2003). Në kampionatet kombëtare portugezi fitoi 2 tituj në Portugali (me Porton) dhe 2 në Angli (me Celsin), si dhe një numër të madh trofesh të tjerë më pak të rëndësishëm.

Numrat
4
Zikaltërit kanë fituar vetëm dy nga nëntë ndeshjet e fundit, duke humbur në katër prej tyre.
4
Në Serinë A, Interi nga 11 pikë diferencë me Romën e vendit të dytë tashmë ndodhet në + 4 pikë.
Chammpions- Edhe pse skuadra e Roberto Mancinit u konsiderua si favoritja kryesore për të fituar Ligën e Kampioneve, Interi u eliminua në raundin 1/16 pas dy humbjeve nga Liverpuli, 0-2 në Angli dhe 0-1 në Itali.
100 vjet- Interi, i themeluar në vitin 1908, është e vetmi ekip që ka qenë i pranishëm në Serinë A, që nga kampionati i parë, ai sezonit 1929-1930, ku ka fituar 15 kampionate. Pak ditë më parë Interi festoi 100 vjetorin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›