Bello: “Mbështesim fuqimisht Lojërat Olimpike”

Komiteti Kombëtar Olimpik Shqiptar shprehu kundërshtimin e tij në lidhje me përpjekjet për të politizuar dhe bojkotuar Lojërat Olimpike të Pekinit, duke besuar se Lojërat do të kenë një sukses të madh. "Ne mbështesim fuqimisht Lojërat Olimpike të Pekinit dhe kundërshtojmë cdo përpjekje për të lidhur ngjarjen sportive me cështjen e Tibetit", - i deklaroi Stavri Bello, sekretari i përgjithshëm i Komiteti Kombëtar Olimpik Shqiptar, ambasadorit kinez në Shqipëri, Vang Junling. Bello tha se Shqipëria ka vendosur tashmë edhe zyrtarët qeveritarë që do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së lojërave dhe atletët do të marrin pjesë në kompeticionet sportive. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, raporton agjencia kineze e lajmeve, Hxinua, e ka bërë tashmë publike se do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimlike të Pekinit. "Lojërat Olimpike të gushtit janë një ngjarje sportive që nuk i përkasin vetëm Kinës, por të gjithë botës", - tha Bello, duke shtuar se suksesi i lojërave nuk do të influencohet nga disa ngjarje negative. "Në përgatitje e sipër të Lojërave, Kina ka rritur vëmendjen ndërkombëtare. Është e natyrshme që do të ketë disa zhurma gjatë procesit, por ato nuk mund të ndikojnë", - citohet Bello nga agjencia kineze e lajmeve.