E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morati: Pak gola, por shumë raste

Shënon pak, por për Masimo Moratin, Interi megjithatë ndërton shumë. Dhe për të, për momentin gjërat janë mirë. Për të tjerat, thotë presidenti zikaltër, "duhet akoma dhe pak kohë". Gjithsesi Verder Bremen u mori vetëm një barazim. "Por ishte një ndeshje e bukur, nënvizon Morati, Champions është një kampionat me pikë dhe po ecim mirë, sepse jemi të parët në klasifikim. Kam parë gjëra të bukura kundër një kundërshtari të vështirë".

NERVOZIZMI - Çfarë ka munguar? "Sigurisht ka munguar fitorja dhe mungon ende ajo që u shërben lojtarëve për t‘u adaptuar me lojën e Murinjos. Mungon shumë goli. Murinjos i duhet të nxitojë, sepse skuadra ekziston". Çfarë është pëlqyer më shumë në ndeshjen ndaj Verderit? "Loja e bukur e skuadrës në sulm dhe tentativa e vullneti nga ana e të gjithëve për të ndjekur trajnerin në momentin e lojës së kërkuar. Jemi të gjithë të paduruar, por do të duhet ende edhe pak kohë".

PAK GOLA - Për t‘u zgjidhur është edhe problemi i golave. Interi shënon pak... "Është e vërtetë, shënojmë pak gola dhe kjo nuk është vetëm një parandjenjë. Por krijojmë mijëra raste dhe kush merr vesh nga futbolli e di se herët a vonë gjërat do të fillojnë të futen në rrugën e duhur".

BATUTA - Në fund një batutë për Murinjon, në marrëdhëniet jo të lehta me shtypin. "Nuk më duket i vështirë, ka kundërshtuar Morati, madje më duket shumë i butë. Murinjo gëzon një respekt të madh. Ndërhyrja ime një ditë më parë u bë vetëm për të qartësuar se ajo që ai kishte thënë ishte vetëm një batutë, jo një gjë e vërtetë. E vlerësoj shumë atë, si në pozicionin e trajnerit ashtu edhe në atë të njeriut". Para se të mbërrinte në stadium, Morati kishte komentuar deklaratat e fundit të Murinjos në lidhje me rrogën. Portugezi do të sqaronte: "Presidenti ka gjithmonë të drejtë, ashtu si tifozët". Është për t‘u vënë bast se nuk do të jetë batuta e fundit në distancë deri në këtë sezonit.

MURINJO - E thekson tri herë Hose Murinjo, duke deklaruar: "Super, super, super, super i qetë, pasi gjërat do të përmirësohen". Fërshëllimat e para të aventurës së tij në Itali duket se nuk e kanë bezdisur. Por ndoshta kemi të bëjmë me rastin e parë për një njeri që është mësuar të luajë nën presion. "Mjafton të fitojmë me Bolonjën dhe Anorthosisin dhe të gjithë do të jenë të lumtur. Të barazosh me Verderin, që është mbrojtur për vdekje pas golit të shënuar, është një rezultat pozitiv, kampionati është i qetë dhe në Champions jemi në krye të grupit, prandaj nuk duhet të shqetësohemi. Unë mundohem të jem pragmatik, i ftohtë dhe ajo që shikoj është një skuadër që në 15 minutat e fundit mund të kishte shënuar. Nëse kishte një skuadër që duhej të fitonte, ajo ishte Interi. Mendoj se e meritonte më shumë".

KUALIFIKIMI - Pas komentimit që ka bërë për barazimin ndaj gjermanëve të Verderit, Murinjo flet edhe për të ardhmen në grup: "Duke analizuar situatën tonë, ajo është shumë optimiste, sepse kemi katër pikë. Do të luajmë me Anothosisin, një kundërshtar tjetër i vështirë, por jam i sigurt 100 për qind që do të kualifikohemi".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›