Volfsburgu zbarkon në Torino për Diegon, Juventusi i kërkon Dzekon
Dje ka qenë një ditë e rëndësishme për merkaton e Juventusit. Një lajm surprizë ka ardhur në orët e pasdites, kur është konfirmuar se drejtues të skuadrës gjermane të Volfsburgut kanë qenë të pranishëm në selinë e klubit bardhezi. Drejtori i përgjithshëm i kampionëve të Gjermanisë në vitin 2009, Diter Hënes, ka kërkuar një takim me homologun e tij juventin, Xhuzepe Marrota, ku i ka propozuar këtij të fundit një ofertë për brazilianin Diego. Fantazisti, i cili mbërriti në sezonin e kaluar në Torino nga skuadra e Verder Bremenit, nuk ka arritur t'i japë Juventusit atë hap cilësor që mendoj përpara se të zbriste në fushën e lojës dhe për këtë arsye, drejtuesit e klubit bardhezi, në ditët e fundit e kanë konfirmuar shpesh faktin se braziliani nuk është i pashitshëm, ndaj çdo ofertë për të do të vlerësohej. Dhe ja ku të interesuarit e parë kanë mbërritur dje në Torino dhe i kanë paraqitur një ofertë zyrtare Juventusit, e cila mesa duket nuk është se e ka kënaqur drejtorin e përgjithshëm Xhuzepe Marrota. Por kjo tratativë duket se i intereson bardhezinjve për të hapur një skenar të ri në lidhje me blerjen e Edin Dzekos, sulmuesit boshnjak të Volfsburgut, i cili është edhe objektivi kryesor i merkatos juventine. Në këtë mënyrë, kjo vizitë e gjermanëve në Itali është mirëpritur nga drejtuesit juventinë, të cilët tashmë mund të fillojnë të shpresojnë për të pasur në skuadrën e tyre 24-vjeçarin, i cili shihet si pasardhësi i denjë i David Trezegesë në Torino. Për ta bërë edhe më bindës këtë takim mes palëve, i cili konfirmon interesimin e Volfsburgut për Diegon, ka qenë edhe prania e Petralitos, menaxherit të FIFA-s, i cili ishte edhe negociatori i transferimit të Diegos nga Gjermania në Torino një vit më parë. Tani, pritet një tjetër takim mes palëve, por ndërkohë, bisedimet për një shkëmbim Diego-Dzeko kanë nisur...