E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuelar: “Rejnxhërs fiton Kupën UEFA”



Të mërkurën, më 14 maj në Mançester do të luhet finalja e vogël Rejnxhërs-Zenit, siç konsiderohet ajo e Kupës UEFA në raport me finalen e madhe të Ligës së Kampioneve, që do të zhvillohet në Moskë, shtatë ditë më pas, ku do të përballen dy gjigantë anglezë, Mançesteri dhe Çelsi. Futbollisti i Gllazgou Rejnxhërs, 26-vjeçari Karlos Kuelar, i votuar edhe si lojtari më i mirë skocez i vitit i përzgjedhur nga gazetarët, beson se skuadra e tij do të fitojë Kupën UEFA, pasi fitoi edhe kampionatin. “Kur unë erdha te Rejxhërs, unë u thashë njerëzve se po shkoja në një klub të madh, se do të kisha shansin të luaja në Europë, në Ligën e Kampioneve dhe të fitoja trofe”, - tha Kuelar për uefa.com. “Në Spanjë, unë luaja me një klub ku resurset ishin të kufizuara. Por te Rejnxhërs, unë i kam të gjitha shanset të fitoj çdo kompeticion dhe të testoj veten time kundër lojtarëve më të mirë në Europë çdo vit”. Kuelar e cilësoi një moment historik dhe shans të madh të qenit në finalen e Kupës UEFA. “Zenit është një ekip i fortë, më lojtarë të zotë në çdo pozicion. Duket qartë se kanë një mentalitet të fortë. Si për ta ashtu dhe për ne, finalja është një mundësi për të bërë historinë dhe ne do të bëjmë të pamundurën për ta fituar. Është ndeshja më e madhe e sezonit për ne, kemi shansin të arrijmë diçka të pabesueshme dhe, personalisht, kjo është arritja më e madhe në jetën time si futbollist. Në tetë ndeshje të Kupës UEFA gjatë këtij viti ne kemi pësuar vetëm dy gola dhe ne kemi lojtarë në sulm të aftë të shënojë ndaj çdo ekipi. Për mua, ne kemi një shans të mirë të shkojmë e të fitojmë Kupën UEFA”, - përfundoi qendërmbrojtësi i Gllazgou Rejnxhërs, Karlos Kuelar.

Bilbil suedez

Suedezi Peter Froejdfeld do të gjykojë ndeshjen finale të Kupës UEFA midis Gllazgou Rejxhërs dhe Zenitit, që do të luhet në stadiumin e Mançester Sitit. Ndihmës të tij do të jenë Vitberg dhe Andren.

Drogba: “Jam gati për finalen”

Sulmuesi i Çelsit, Didier Drogba këmbënguli se ai do të jetë i aftë të marrë pjesë në finalen e Ligës së Kampioneve kundër Mançester Junaitid. Futbollisti nga Bregu i Fildishtë u dëmtua gjatë ndeshjes së Çelsit kundër Boltonit (1-1), njëherësh edhe ndeshja e fundit e kampionatit anglez. “Unë do të jem gati për finalen”, - tha Drogba për gazetën britanike “The Sun”. 30-vjeçari ka shënuar gjashtë gola në dhjetë ndeshje të tij në Ligën e Kampioneve gjatë këtij sezoni, duke qenë kështu golashënuesi i dytë më i mirë në këtë kompeticion së bashku me Stiven Xherard e Fernando Torresin (të dy të Liverpulit) dhe Lionel Mesin e Barcelonës. Kristiano Ronaldo i Mançester Junaitid është në krye me shtatë gola. Por, nëse Drogba mund të jetë në finale, ka ende një njollë dyshimi për kapitenin Xhon Terri, i cili u përplas me portierin e ekipit të tij Petër Ceh gjatë barazimit me Boltonin.

Krujf mbron Rajkardin

Ish-trajneri i Barcelonës, Johan Krujf u bashkua me korin e figurave “blaugrana” për të vlerësuar Frank Rajkardin, i larguar tashmë nga drejtimi i skuadrës. Kampioni i madh holandez deklaroi se patrioti i tij mbeti i vërtetë ndaj filozofisë së tij, ndërsa të tjerët dështuan për ta vënë në praktikë atë.

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›