E Diel, 1 Nëntor 2026

Moratinos: Shkupi dhe Athina pranë zgjidhjes së çështjes së emrit

BRUKSEL- Ministri spanjoll i Punëve të Jashtme, Miguel Angel Moratinos së shpejti do të vizitojë Shkupin, paralajmëroi dje shefi i diplomacisë spanjolle gjatë fjalimit përpara Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit evropian, por pa saktësuar datën. Sipas radios gjermane ''Deutsche Welle'', Moratinos vlerësoi se Athina dhe Shkupi janë pranë zgjidhjes përfundimtare për çështjen e emrit dhe se qëndrimi i qeverisë së re greke është shumë i volitshëm. "Dy vendet punojnë nën patronazhin e OKB-së dhe besoj se në këtë moment është më mirë të bisedojnë mes tyre. Nëse nevojitet ndërhyrje evropiane, atëhere ne jemi të gatshëm për këtë. Për këtë qëllim, vendosa që së shpejti të shkoj në Shkup", deklaroi Moratinos. Shefi i diplomacisë spanjolle, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së, u përqëndrua edhe në vendet e tjera të rajonit duke theksuar se ''Ballkani Perëndimor është në krye të prioriteteve të kësaj presidence''. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›