Berisha dhe bumerangu i ndarjes së mëtejshme të së majtës
Kryeministri, Sali Berisha, po përpiqet të hakmerret ndaj qëndrimit të Partisë Socialiste rreth kërkesës së presidentit Topi për të rishikuar Kodin Elektoral. I zënë ngushtë nga qëndrimi i butë i PS dhe fakti që ata pranuan se ka një problem teknik me Kodin, ka rritur dukshëm zemërimin e kryeministrit Berisha që në këtë rast është i pafuqishëm të reagojë publikisht. I qartë në qëndrimin e tij politik, ai deklaroi se presidenti Topi, duke kthyer Kodin, ka pasur parasysh jo gabimin teknik, por mundësinë që palët brenda së majtës të bisedojnë. Ky qëndrim është qartësisht i nxitur nga pakënaqësia që ai ka ndaj faktit se Partia Socialiste, partnerja e tij e vetme në miratimin e Kodit Elektoral, ka mbajtur ndaj gjestit të presidentit Topi.
I bindur se një interpretim i tillë i kthimit të Kodit prej Bamir Topit, thellon ndarjen brenda së majtës dhe e vë Ramën në pozitë të vështirë, Berisha ka zgjedhur si interpretim të gjestit të presidentit pikërisht shansin që ai, sipas tij, ka dashur t’i japë të majtës për të ndryshuar Kodin. Duke luajtur me blofin dhe duke u paraqitur në opinion si palë e painteresuar realisht për përmbajtjen e tij, ai po përpiqet t’i nxjerrë përfitimin maksimal politik operacionit të tij politik të bashkëpunimit me Ramën, duke e vënë atë në pozitë të vështirë brenda së majtës. I bindur se Rama është i detyruar ta pranojë blofin e tij, ai po ashtu do të zgjatë tashmë lojën e miratimit të Kodit. I bindur se socialistët duan që kjo çështje të mbyllet shpejt dhe Kodi të bëhet zyrtar, Berisha do ta shtyjë në pafundësi kalimin e dekretit në Kuvend për ta zgjatur periudhën e sherrit mes PS dhe aleatëve të saj të majtë të LSI.
Interpretimi nga ana e Berishës i kthimit të Kodit nga Topi, si një shans për të majtën, duket qartë që është interesim personal i Berishës dhe i menduar me kujdes më vonë, pasi ditën që Topi ktheu Kodin, askush nga PD, që flet me leje të Berishës, nuk e bëri këtë interesim. Përkundrazi, ishin socialistët ata që thanë se Topi nuk ka të drejtë, pasi nuk është shkelur Kushtetuta, megjithatë premtuan se do të saktësojnë problemin që ai ngre. Nga PD nuk foli askush. Askush nuk doli t’i thoshte Bamir Topit t’i nuk ke të drejtë. Askush nuk doli t’i thoshte Bamir Topit po ashtu, se t’i po e bën këtë që t’u japësh shans të majtëve. Vetëm Jozefina Topalli bëri një deklaratë krejt pa lidhje nga Londra që e akuzonte Topin se mbronte interesat e të vegjëlve, gjë që formalisht nuk qëndronte, por arsyetohej me idenë se Topalli nuk vret mendjen ç’bën Topi, por thjesht sulmon Topin.
As të nesërmen nuk pati deklaratë. Aldo Bumçi, që nuk lë budallallëk pa thënë në këtë botë, nuk e tha as budallallëkun e Jozefinës, as të Berishës. Duket se qëndrimi i Berishës është formuluar më me qetësi, dhe për këtë sajoi një intervistë në televizionin e tij dhe hodhi idenë se Topi e ka kthyer Kodin për t’i dhënë shans bashkimit të së majtës. Kjo ide e Berishës, po t’i shtosh dhe taktikën e vonimit të miratimit prej Kodit ndaj tij, synon qartë nervozizmin e tij ndaj qëndrimit të PS dhe mund të quhet një lloj hakmarrje e tij.
E vetmja gjë që llogarit gabim Berisha është sa e ndihmon PD ndarja e fortë e së majtës. Ndarja e fortë e së majtës me formulën që ka Kodi Zgjedhor mund të faktorizojë LSI në atë shkallë që të ndajë një numër të konsiderueshëm deputetësh me PS dhe të bëhen shumicë e sigurt në zgjedhjet e ardhshme. Sistemi elektoral që Berisha ka zgjedhur, është në kundërshtim me interesat e PD dhe të së djathtës dhe natyrisht në interes personal të pushtetit të Berishës. Nga ky sistem PD humbet pushtetin dhe Berisha fiton përjetësisht PD, por një PD jo në pushtet. Nuk jam shumë i sigurt sa i nevojitet Berishës një PD e tillë, vetëm nëse ka ndërmend t’i kthejë ndonjë borxh Edi Ramës, ose ky i fundit të mbyllë proceset gjyqësore që janë hapur kundër rrethit të tij të afërt. Por e sigurt është se një e majtë e ndarë është një e majtë më e fortë se një PD e rreshtuar me frikë pas Berishës dhe pa personalitete. Përpjekja e Berishës për ta forcuar të majtën, duke i forcuar personalitetet dhe duke e ndrydhur të djathtën, duke i bërë të gjithë ushtarë të frikësuar pas tij, është një gjobë e madhe që e djathta po i paguan përpjekjeve të Berishës për të përdorur pushtetin e përjetshëm në PD, për të mbrojtur veten dhe familjen nga procesi i Gërdecit, Fazlliçit apo abuzimeve në rrugën Rrëshen-Kalimash. Një opozitë e nesërme e kastruar ndoshta do të ishte një shërbim që këto procese të mbylleshin, siç nuk u hapën kurrë proceset që Berisha premtoi kundër atyre që dje ishin në pushtet. Përpjekja e tij e kohëve të fundit për ta thelluar ndarjen e së majtës ngjan si lëvizje diabolike ndaj së majtës, por në thelb ka për të shkuar kundër së djathtës dhe natyrisht pro Berishës, i cili e ka hipotekuar tashmë pushtetin mbi siglën e PD dhe kapitalin politik të saj me këtë Kod Elektoral. E majta, pas këtyre lëvizjeve të Berishës, po gjallëron debatin brenda saj dhe po ngjall më shumë shpresa për personalitete sesa manekinët që ka vënë në rresht Berisha. Dhe kjo mund të reflektohet në zgjedhje, atëherë kur njerëzit do të kenë një ofertë të vetme nga e djathta dhe mund të abstenojnë, dhe më shumë se një ofertë përballë së djathtës, ku mund të votojnë dhe ata që janë të gëzuar prej Ramës, dhe ata që janë të dëshpëruar prej tij.