E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Do bëj një sforco, do i kërkoj takim Ramës

Nga L.Progni

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha dje se vetëm Edi Rama nuk do që LSI të ketë përfaqësuesit e saj në komisionet zgjedhore, dhe ia ka vënë kusht mazhorancës një gjë të tillë për votimin e Kodit Zgjedhor. Megjithatë, Meta i kërkoi dje takim Ramës për të gjetur zgjidhje për këto probleme. “Ju e dini se ne i kemi bërë të gjithë përpjekjet tona, pikërisht që vendi të shkojë në zgjedhje të ndershme dhe të lira. Dhe, mua më vjen shumë keq, kur takohem edhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe me shumë personalitete ndërkombëtare, të cilët më thonë që ne, zoti Meta, kemi folur me kryeministrin Berisha për këtë çështje, sepse i kuptojmë shqetësimet tuaja. Ne kemi folur dhe me ministrin e Jashtëm, zotin Basha, por jemi në një pozicion të vështirë, sepse edhe kryeministri Berisha, edhe ministri i Jashtëm, Basha, na thonë se shqetësimet që ngre LSI janë të drejta, dhe se LSI, si forca e tretë politike që është në vend, duhet të jetë e përfaqësuar në procesin e administrimit të zgjedhjeve, me të drejta të plota, pasi kjo është një e drejtë që i takon dhe, së dyti, sepse ne nuk duam që të kontestohen zgjedhjet. Por, Berisha dhe Basha kanë deklaruar, se ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë kryetarit të PS, zotit Rama, sepse ai na thotë: “Nuk e votojmë Kodin, në rast se LSI nuk mbetet pa komisionar në procesin e administrimit.”

Dhe unë dua t’ju pyes juve, a është normale kjo? A është e ndershme kjo? A i shërben kjo zgjedhjeve të përgjithshme, që ato të jenë të ndershme e të lira? A i shërben ky qëndrim i zotit Rama garancive që opozita duhet të ofrojë, së pari, si më e interesuara për zgjedhjet e ndershme dhe të lira përpara gjithë popullit shqiptar? A i shërben kjo bashkëpunimit brenda së majtës dhe forcave progresiste? Prandaj, duke qenë se ndaj të njëjtin mendim me ju dhe jam i bindur me shumicën e shqiptarëve në këtë çështje, unë do të bëja një sforco tjetër, meqenëse ka ende kohë për t’u bërë rishikimi i Kodit, në emër të evitimit të tensionit përpara zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve, në emër të garantimit të standardeve ndërkombëtare për realizimin e këtyre zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe të barabarta, do t’i jap edhe një mundësi zotit Rama që të reflektojë, duke i kërkuar atij për t’u takuar dhe për t’i ndarë nga afër edhe një herë këto principe me të”, - tha Meta. “Besoj se ju jeni dakord që ne, si forcë tepër civile dhe e emancipuar, të bëjmë përpjekjen tonë, pavarësisht se cili do të jetë reagimi i tyre. Sepse, nuk bëhet fjalë për të mbrojtur thjesht votat e LSI. Të jeni të sigurt ju, që nuk ka çfarë t’i bëjë njeri votave të LSI. Por, nuk duhet që vendi të shkojë në zgjedhje me një Kod Zgjedhor diskriminues, me një Kod Zgjedhor të padrejtë, me një Kod Zgjedhor të pandershëm, sepse është një minus dhe do të jetë një minus shumë i madh për vendin dhe për perspektivën e procesit integrues në Shqipëri, sepse jam i bindur se këta qindra të rinj e të reja në Mat, në Dibër e në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm që dinë t’iu dalin për zot votave të tyre dhe të LSI, por dinë t’iu dalin për zot votave të çdo shqiptari.”

Meta i bëri komentet gjatë një takimi me të rinj të LRI në rrethin e Matit. Ai tha se në qarkun e Dibrës LSI do dalë forcë e parë. “Jam i bindur se qarku i Dibrës do të jetë një qark, që për shumë të tjerë që nuk e njohin, do të jetë surprizë, por për mua aspak, ku LSI i ka të gjithë mundësitë të dalë një forcë e parë politike. Nuk ka asnjë qark tjetër në Shqipëri që të jetë braktisur kaq shumë nga qeverisja sesa qarku i Dibrës. Nuk ka asnjë qark në Shqipëri, me të cilin, për fat të keq, edhe PS është tallur në mënyrë të pacipë. Ju e mbani mend se si përpara zgjedhjeve të vitit 2005 u bë gjoja inaugurimi i fillimit të Rrugës së Arbrit. Ku është Rruga e Arbrit? Ku janë këto vepra të tjera? Asgjëkundi”, - tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›