E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri ndan ndihma për të varfrit për Kurban Bajram

Nga Tema

Antena brenda familjes

Flamuri e ka pasur ditë pune dje. Ai burri e njoftoi të ishte që në mëngjes te parkingu i PD, pasi do mblidhte ndihma për të varfrit. Puna ishte rregulluar për bukuri. Ai burri iu kishte dhënë urdhër të brendshëm gjithë ministrave dhe zyrtarëve të lartë që kishin bërë gjynahe këtë vit të çonin te parkingu i PD nga një dhuratë për kurban. Ato do t’i mblidhte Flamuri dhe do t’i shpërndante në zonat e të ardhurve, kryesisht në Bathore, në periferi të Kamzës dhe në Kënetë, në Durrës.

Doli Flamuri që në mëngjes, edhe pse ishte bllokuar sheshi nga Falja e madhe. Pasi mbaroi falja, shkoi në zyrë dhe i la porosi atij rojës së parkingut: “Kush të bjerë dhurata, - tha, - mbajeni emrin shënim dhe futi këtu në kat të parë.”

I pari që u duk në oborr ishte Gjergj Bojaxhiu. Po ky ç’të dojë? - tha Flamuri, që i shihte nga dritarja. - Ky është dhe ortodoks, madje e ka gjyshen serbe. Nejse, mund të ketë kaluar nga Vuthaj, tha me vete, kur ka ardhur në Shqipëri. Nëse i ka ndodh kjo, atëherë e ka historinë njësoj si gjyshja e Lul Bashës, Argitës dhe gjithë këtyre që janë në pozitë dhe ndoshta vjen të falë diçka për sevap. U bë kurioz. Gjergji bisedoi diçka me rojën dhe iku.

Flamuri zbriti shpejt menjëherë poshtë nga kurioziteti.

- Çfarë dha ai? - tha Flamuri për Gjergjin.

- Asgjë, - tha roja. - Ia shpjegova dhe procedurën, por bëri sikur nuk kuptoi gjë. Atëherë, më fal shef po kam bërë gabim, po unë ia thashë copë. I thashë, ka dhënë urdhër ai burri që gjithë njerëzit e pushtetit duhet të bëjnë kurban diçka, se është festa e Kurban Bajramit.

- Unë s’kam ç’bëj kurban, - tha. - Njërin që duhet të bëj kurban, duhet të marr leje.

- I madhi profet, - i thashë, - një fëmijë kishte dhe u mat ta bënte kurban, derisa në minutën e fundit Zoti i nxori një dash përpara.

- Po, - tha, - dhe unë po pres të më nxjerrë dashin ai burri në minutën e fundit, se prokuroria më kërkon të bëj kurban Fazlliçin, se atij ia kam blerë gjithë energjinë elektrike nga vitit 2007. Më ka urdhëruar ai burri dhe e kam bërë me qejf. Sipas rregullave e kam bërë, por ama e kam bërë. Tani unë erdha se mos më tregonte kë duhet të bëj kurban, se unë një djalë të vetëm kam, Fazlliçin. Po atë s’e bëj dot pa më urdhëruar ai burri.

- Qenka idiot, - tha Flamuri. - Dashka të bëhet dhe kryetar i Tiranës. Ky nuk kuptoka as procedurën. Ika unë, lart jam. Më njofto kush të vijë.

I dyti erdhi Shkëlqim Hoxha Ai takoi rojën, futi dorën në çantë, nxori disa pako me pará, ia la dhe iku.

- Po të pyeti Flamuri nga i ke, thuaji i kemi nga ky ligji i lojërave të fatit. I thuaj Ridvani nuk vinte dot, se binte në sy, po e solla unë pjesën. Ke plot aty. Bliju çfarë të duash të vobektëve.

Zbriti Flamuri dhe ç’të shikonte. Njëqind mijë euro kishte sjellë. Djalë i zoti, tha Flamuri me vete. Hallall e ka, nuk lë lek pa mbledhur.

Më pas erdhi një djalë i ri me mustaqe. Iu prezantua rojës. Diçka i tregonte në hartë dhe iku. Zbriti Flamuri të sqarohej.

- Ishte shoferi i Fatmir Mediut, - tha. - Më tregoi ku kishte blerë nja 40 hektarë tokë në autostradë me ato lekët e Gërdecit. Më tha se mund të merrni dy të tretat për të varfrit, se harami s’bëhet hallall po nuk fale.

Mori adresën Flamuri dhe u ngjit prapë lart.

Pas pesë minutash dëgjon një potere të madhe te parkingu. Zbriti me urgjencë dhe ç’të shihte.

- Kush je ti, - i tha Flamuri, - se nuk të njoh?

- Jam Erion Isufi, - tha. - Kunati i Lul Bashës. Kemi tri vjet që sakrifikojmë për PD. Luli s’ka bukë të hajë, mua më kini bllokuar gjithë bizneset, Fazlliçin ma keni bllokuar. Ku do hamë ne? Të paktën na jepni ndonjë gjë për Bajram, se kemi pasur dhe përvjetorin e gjyshes së Lulit dhe kemi pas hyrje-dalje të mëdha. Jemi dhe familje patriotike. Gjyshja e Lulit ka ikur vajzë nga Kosova për të ndihmuar Shqipërinë. Mendo sikur ajo mos të kishte lëvizur fare nga vendi, d.m.th., mos të sakrifikonte. Nuk do shkonte as në Vuthaj, nuk do vinte as në Tiranë. E kuptoni se ç’do ishte Shqipëria. Një skëterrë do ishte. Lul Basha nuk do ishte gjallë, motra ime s’do ishte martuar, por mbi të gjitha do humbiste Shqipëria. Kush do ta bashkonte Shqipërinë me Kosovën? Kush do shpallte pavarësinë e Kosovës? Kush do ishte sot heroi ynë kombëtar...? Nuk keni përgjegjësi fare për historinë. Shikoni vetëm punët tuaja. Ju qofshi! - përfundoi kunati i Lulit gjithë mllef.

- Jepi ndonjë gjë, - i tha Flamuri rojës.

- I thashë, shefo, të të jap pará të blesh një dash, por ky do pará me ble një fuoristradë të re, se atë që kishte ia paska marrë Fazlliçi herën e fundit që ka ardhur.

- Jepja, - tha Flamuri, - se avokati do t’ia marrë. Dhe avokati i yni është.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›