E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Politizimi i hetimit të Bashës mbulon të vërtetën

Nga L.Progni, A.Maho

Tashmë, kur dosja “Basha” ndodhet në duart e gjykatësve të Gjykatës së Lartë, ministri i Jashtëm duket më shumë se kurrë ndonjëherë i përkushtuar në takime, thjesht dhe vetëm jashtë vendit. Me këto motive, ministri që refuzoi prokurorinë edhe gjatë kohës së hetimit, edhe për marrjen e aktpadisë, ka këto ditë një axhendë të ngjeshur, çka duket se nuk do i lejojë dhe paraqitjen në Gjykatën e Lartë. Megjithatë, një gjë është e sigurt, që në këtë gjykatë do paraqitet avokati i tij, siç dhe vetë ai pranon.

Por, në pritje të nisjes së gjykimit, beteja brenda vetë sistemit dhe politikës është acaruar.

Partia Socialiste tha dje se politizimi i çështjes së hetimeve për rrugën Durrës- Kukës mbulon zbardhjen e të vërtetës.

Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PSSH, Arta Dade, tha se Berisha po sfidon institucionet e drejtësisë.

“Opozita dhe opinioni publik kërkojnë zbardhjen e çështjes për zhdukjen e fondeve në rrugën Durrës-Kukës. Kjo nuk mund të ndodhë as duke abuzuar me foltoren e Ministrisë së Punëve të Jashtme për mbrojtje personale, as duke sulmuar opozitën me shpifje dhe fyerje dhe as duke sfiduar institucionet e drejtësisë me mosbindje të procedurave ligjore.

ǒështë ky ministër i paditur për zhdukjen e një shume marramendëse parash, që refuzon të shkojë përpara organeve të drejtësisë?

ǒështë kjo qeveri që bëhet strehë e një ministri të penduar, që nuk i përgjigjet çështjeve ligjore, ashtu sikurse e kërkon Kushtetuta dhe ligji, që nuk i njohin atij ndonjë dallim nga shtetasit e tjerë?

ǒështë ky kryeministër që vendos për ministrin e vet të pandehur atë çka për të duhet të vendosë drejtësia?” - tha Dade.

“Politizimi i kësaj çështjeje kaq të rëndësishme për moralin e shtetit, të qeverisë dhe politikës, jo vetëm që nuk ndihmon në zbardhjen e së vërtetës, por përkundrazi ndihmon për mbulimin e së vërtetës.

Kjo nuk i shërben opinionit publik, por i shërben të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë korrupsion galopant të përmasave të frikshme. Të kërkosh zbardhjen e së vërtetës, do të thotë t’i shërbesh interesave të vendit. Ta konsiderosh këtë kërkesë si antikombëtare do të thotë të fshihesh pas simbolit kombëtar dhe të mbulosh këtë aferë korruptive nga më të mëdhatë, padyshim më e madhja dhe më e frikshmja e gjithë periudhës së tranzicionit”, - vijoi më tej ajo.

Manjani: Ministria e Drejtësisë, vegël në duart e klanit “Berisha”

Kryetarit i Komisionit të Ligjeve në Asamblenë e PSSH, Ylli Manjani, tha dje se Ministria e Drejtësisë është kthyer në një vogël të klanit “Berisha”. “Teatri mes qeverisë dhe drejtësisë vazhdoi dje me nxjerrjen në televizion të avokatit të familjes Berisha, Aldo Bumçin dhe të Kancelarit të Ministrisë së Drejtësisë, që na thanë bashkërisht se çdo gjë është në rregull, ndërkohë që ne përsërisim se ndryshimi i gjyqtarit për të pandehurin Lulzim Basha me një gjyqtare militante të Partisë Demokratike dhe caktimi për dosjen e sekserit serb të Këshillit të Ministrave i një tjetër gjyqtari militant të Partisë Demokratike, që merret nga të miturit për të gjykuar Fazlliçin, përbëjnë një shfazim të plotë në marrëdhëniet e kësaj qeverie me ligjin. Kjo qeveri i është kundërvënë hapur drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë është kthyer hapur në një vegël të klanit “Berisha”, për t’u mbrojtur nga drejtësia”, - tha Manjani.

PD: Gjykatësit, të paanshëm, prokuroria, me elementë të kapur nga krimi

Partia Demokratike lëshoi dje një lumë akuzash ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, duke e quajtur atë të kapur nga krimi. Ndërsa kanë quajtur të pavarura vendimet e gjykatës, demokratët kanë sulmuar qëndrimet e prokurorisë. Zëdhënësi i PD, Gerti Bogdani, tha se Rama po përdorë elementë të kapur nga krimi brenda Prokurorisë së Përgjithshme. “Këto dy ditë, kryetari i Partisë Socialiste dhe Prokurori i Përgjithshëm, Rama, kanë ndërmarrë një sulm të egër kundër gjyqtarëve dhe gjykatave të vendit, duke mos respektuar institucionet e pavarura dhe shtetin ligjor, për faktin e vetëm se nuk bëhen pjesë e lojërave të tyre të fëlliqura politike.

Rama, krye-hetuesi politik i vendit, sulmoi gjykatat, vendimet e tyre, kancelarët, shortin elektronik dhe gjykatësit, vetëm e vetëm se ata, të pakapur nga krimi, zbatojnë me korrektesë ligjin dhe shtetin ligjor të vendit.

Kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe krye-hetues politik i vendit, mund të manipulojë dhe të shndërrojë në një instrument të tij, ndonjë element të kapur nga krimi në Prokurorinë e Përgjithshme, por nuk mund të mposhte ligjin dhe shtetin ligjor të këtij vendi.

Ndaj edhe Partia Demokratike i kërkon z. Rama, këtij krye-hetuesi politik, pasardhës i familjeve të Byrosë Politike, njeriut me lidhje të ngushta me Sigurimin famëkeq të Shtetit, të heqë dore nga roli i shëmtuar i krye-hetuesit, se ai dhe instrumentet e tij nuk do të mund të fshehin me asgjë lidhjet e tyre me krimin”, - tha Bogdani. Ndërsa zëdhënësi i grupit parlamentar të PD, Aldo Bumçi, shprehu mbështetjen e plotë ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Duke përsëritur akuzat e bëra nga Bogdani, Bumçi në diferencë prej tij tha se Basha po akuzohet, kur ai është në kulmin e takimeve të rëndësishme në botë.

“Pas një sërë takimesh të suksesshme të z. Basha me drejtues të diplomacisë botërore në Bruksel, Helsinki, Oslo etj., Rama i përgjigjet me thirrjen e tij dëshpëruese për dorëheqje nga detyra e ministrit të Jashtëm. Me gjithë këtë qëndrim, Edi Rama, veçse faktohet si kryeprokurori politik i vendit që ka manipuluar gjer në palcë institucionin e akuzës dhe që pas dështimeve të njëpasnjëshme në këtë proces manipulimi, përsërit në mënyrë të përditshme kërkesën për largimin e z. Basha nga Ministria e Jashtme”, - përfundoi deklaratën e tij deputeti Bumçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›