E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, policia: Kriminaliteti, në rritje krahasuar me një vit më parë

BERAT - Në analizën vjetore të Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Beratit ku ishte i pranishëm edhe zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Haxhia, është raportuar puna e komisariateve të policisë Berat, Kuçovë e Skrapar gjatë vitit 2009. Nga treguesit e raportuar nga nëndrejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat, Myftar Demirlika, rezulton se kriminaliteti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pësuar rritje.


Vetëm gjatë periudhës janar - dhjetor 2009, në territorin që është nën juridiksionin e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat janë evidentuar 400 vepra penale, që i përkasin Sektorëve të Krimeve të Rënda, Krimit të Organizuar dhe Krimit Financiar, ku 18 prej tyre kanë qenë me pasojë vdekjen, 10 me plagosje të rëndë dhe 8 kanë qenë vetëhelmime prej të cilave, 2 me pasojë vdekjen, ndërkohë që nga kjo drejtori janë zbuluar vetëm 334 vepra penale, janë arrestuar 426 autorë dhe janë shpallur në kërkim 7 prej tyre.


Numri prej 400 veprash penale të regjistruara gjatë këtij viti tregon një rritje të ndjeshme të kriminalitetit në të gjithë qarkun në krahasim me vitin 2008 kur numri i tyre ka qenë 365.


Të ndarë në sektorët më të rëndësishëm, krahasuar me vitin 2008, rezulton se këtë vit janë 95 ngjarje kriminale në krahasim me 82 që ka qenë numri i tyre në vitin 2008, 41 vepra penale në "shfrytëzimin e prostitucionit", "ushtrimin e prostitucionit" dhe "mbajtje lokalesh për ushtrim prostitucioni" në krahasim me 32 që ka qenë numri i tyre në vitin 2008.


Po kështu, në krahasim me vitin 2008, edhe numri i aksidenteve automobilistike ka shënuar rritje. Në vitin 2009 kanë ndodhur 44 aksidente automobilistike me pasojë 9 të vrarë, 13 të plagosur rëndë dhe 38 të plagosur lehtë, ndërkohë që numri i aksidenteve për vitin 2008 ka qenë 36.


Një fenomen tjetër shqetësues për vitin 2009 mbetet dhuna në familje, ku rastet e evidentura nga Sektori i Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje, flasin për shifra tronditëse. Shifrat zyrtare të raportuara në analizën e fundvitit të Drejtorisë së Policisë së qarkut Berat flasin për 51 raste të dhunës në familje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›