E Diel, 1 Nëntor 2026

Morgu në pritje të kufomave të ushtarëve amerikanë

04/04/2005  Zyrtarët e Mjekësisë Ligjore pranojnë se ende nuk ka mbërritur asnjë trup i pajetë

TIRANË- Morgu i Tiranës përgatitet për të pritur trupat e pajetë të nëntë ushtarëve amerikanë, që humbën jetën në aksidentin tragjik. Burime zyrtare të Mjekësisë Ligjore thanë dje për gazetën se, që në orët e para të 1 prillit, një ditë pas tragjedisë, është dhënë urdhër që ambientet e morgut të jenë në pritje të mbërritjes së trupave të pajetë të ushtarëve amerikanë. Ndërkaq, sipas burimeve të lartpërmendura, ata kanë mbërritur në morg, për egzaminime nga ekspertët ligjorë. Deri më tani, dihet vetëm fakti se është dhënë urdhër që ambientet e brendshme të morgut të dizinfektoheshin, për shkak të "dyndjeve" të kufomave, një pjesë e mirë e të cilave ishin të paidentifikuara. Ky veprim është kushtëzuar së tepërmi nga mbërritja e një trupi të dekompozuar, i cili i përkiste një endacaku. Tashmë, mjekët janë në pritje të mbërrijtes së kufomave të nëntë ushtarëve amerikanë, ndonëse ende nuk është mundësuar një veprim i tillë.

Hetimet

Për të hetuar shkaqet e rrëzimit të avionit “MC 130 Herkules”, në malin e Rovjes, pritet të vijë një grup hetimor nga SHBA-ja. Tragjedia ajrore ku humbën jetën 9 ushtarë amerikanë, të specializuar për lirime pengjesh, alarmoi strukturat e shtetit shqiptar, e megjithatë, asnjë zyrtar i shtetit tonë nuk do të merret me hetimet e kësaj ngjarje të rëndë, të ndodhur në një zonë të thellë të Gramshit. Burime nga Prokuroria Ushtarake, pohojnë se nuk kanë asnjë informacion mbi zhvillimet hetimore, në lidhje me këtë ngjarje të bujshme, pasi, specialistët amerikanë kanë preferuar që t'i kryejnë vetë, të gjitha veprimet për të zbardhur shkakun e vërtetë të rrëzimit të avionit. Përveç ekspertëve të ushtrisë amerikane që ndodhen në vendin tonë, pritet që një grup i specializuar të mbërrijë në Shqipëri, për të kryer hetimet e mëtejshme. Ekspertët amerikanë kanë mundur të gjejnë nëntë pllakëzat me identitetet e ushtarëve, por ato janë gjetur larg trupave të karbonizuar, duke mos ndihmuar shumë në identifikim. Ndërkaq, po verifikohen shenja të veçanta të ushtarëve amerikanë të vdekur gjatë aksidentit, për identifikimin e tyre. Gjatë këtyre ditëve, asnjë ushtar shqiptar nuk i është afruar zonës së avionit të copëtuar. Pranë vendit të ngjarjes, ka mbërritur vetëm një grup prej 17 vetësh i batalionit special “Beretat e Kuqe”. Pasi kanë falenderuar homologët shqiptarë për bashkëpunimin, drejtues të ushtrisë amerikane, kanë marrë në dorë hetimin e shkaqeve të rrëzimit të avionit si dhe verifikimet për identifikimin e trupave.

Tragjedia

Avioni i ushtrisë amerikane, është rrëzuar rreth orës 20.05 minuta të mbrëmjes së enjte, në Malin e Rovjes. Ai ka qenë duke fluturuar mbi Gramsh, në kuadër të një stërvitjeje të përbashkët shqiptaro-amerikane. Banorët e fshatit Gridë, që ndodhet më afër vendit ku u rrëzua avioni, pohuan se ai po fluturonte shumë ulët mbi fshat, në kushtet e mjegullës dhe motit të keq. Ndërkaq, mendohet që pilotët e avionit “MC 130H”, të kenë humbur kontrollin, duke u përplasur me pllajën e malit Rovje.

Ambasadori Limpreht në Morgun e Tiranës

Një ndër shtetasit amerikanë, me detyrë të lartë në vendin tonë, që i është nënshtruar autopsisë në Morgun e Tiranës, ishte ish-ambasadori Jozef Limpreht. Ai vdiq rreth tre vjet më parë, nga një atak zemre. I shoqëruar nga një eskordë e blinduar me fuoristrada amerikane, kufoma e tij mbërriti në mesditë në dyert e Mjekësisë Ligjore dhe, nën mbikqyrjen e rreptë të mjekëve amerikanë, ajo iu nënshtrua një ekspertize tepër të shkurtër. Autoritetet amerikane nuk dhanë shpjegim të mëtejshëm rreth vdekjes së tij, përveç faktit të atakut në zemër, gjë e cila u pohua njëzërasi edhe nga pala shqiptare. Pas mbarimit të procedurave, trupi i tij i pajetë u dërgua të nesërmen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një ceremonie të organizuar nga qeveria shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›