E Diel, 1 Nëntor 2026

Mori peng një person, arrestohet i kërkuari pas 9 muajsh



SHKODËR – Pas nëntë muajsh një 23-vjeçar është arrestuar, pasi nën kërcënimin e armëve mori peng një person. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se mbrëmjen e tre ditëve më parë, rreth orësh 22.00 është bërë ndalimi i shtetasit Dritan Daija, lindur dhe banues në qytetin verior. Ndaj tij ishte lëshuar urdhri i ndalimit nga prokuroria, në bazë të një vendimi të dhënë nga gjykata. Që më datën 14 qershor të këtij viti, Daija ishte shpallur person në kërkim nga Policia e Qarkut. 23 vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, i cili është ende në kërkim, më 25 janar të këtij viti kanë marrë me forcë, nën kërcënimin e armëve të zjarrit shtetasin Fitim K. Ata akuzohen për "heqje në mënyrë të paligjshme të lirisë së tjetrit" dhe armëmbajtje pa leje.

Tronditet qarku i Elbasanit nga tërmeti, nuk regjistrohen dëme

TIRANË – Një tërmet me magnitudë 3.7,është regjistruar të premten, në verilindje të qytetit të Elbasanit, bënë të ditur burime zyrtare nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Instituti i Gjeoshkencave. Sipas këtyre burimeve, të premten, në datën 19 shtator,ora 15:14 (ora lokale), është regjistruar një tërmet i lokalizuar 13 km në Veri-Lindje të qytetit të Elbasanit, në kordinatat 41.16 V;20.24l dhe thellësi 1 km.
Gjithashtu intensiteti i tërmetit në epiqendër është rreth 4-5 ballë. Tërmeti është ndjerë edhe në qytetin e Elbasanit dhe 3-4 ballë në qytetin e Librazhdit. Autoritetet vendore nuk raportojnë për viktima apo dëme materiale.

Flakë në linjën e naftësjellësit Kuçovë-Ballsh

BERAT – Linja e transportit të naftës bruto nga Kuçova në drejtim të Fierit dhe Ballshit është çarë, duke u përfshirë nga flakët. Burimet zyrtare të policisë së Qarkut të Beratit bëjnë të ditur se flakët kanë rënë paraditen e së premtes. Nga të dhënat e para dyshohet se çarja e tubacionit ka ardhur për shkak të amortizimit të rrjetit, e cila ka shkarkuar në mjedisin përreth, në komunën e Poshnjës, në rrethin e Beratit një sasi të konsiderueshme nafte. Prej këtyre kanaleve kanë ardhur edhe flakët, të cilat më pas përfshinë edhe tubacionin e naftës. Punonjësit e Mirëmbajtjes kanë ndërhyrë për të shuar flakët dhe për të ndalur rrjedhjen e naftës bruto. Ky tub transporton deri ne 2500 metra kub naftë dhe është ndërtuar para 60 vjetësh.

Brenda një nate shkatërrohen drurët dekorativ të qytetit

DURRËS – Brenda një nate është shkatërruar një sipërfaqe e konsiderueshme me pemë dekorative në qytetin e Durrës, ndërkohë që nuk ka rënë askush në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se mëngjesin e djeshëm lagjet Nr. 6, 9 dhe 11 në qytetin bregdetar kanë dalë të zhveshura, pasi ishin prerë pemët përgjatë bulevardeve. “Lidhur me rastin në fjalë nga ana jonë u kryen veprimet e para hetimore nga të cilat rezultoi të ishin dëmtuar 38 peme dekorative”, - thotë zëdhënësja e Policisë së Qarkut Ornela Cako. Sipas saj, ka nisur puna për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarje.

20 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›