Specialisti i ISHP-së: ”Duhet të nisë marrja e vaksinës antigrip”
Emanuela Sako
Ardhja e vjeshtës shënon dhe shtimin e virozave gripale, të cilat duhen parandaluar në kohë. Mënyra më e mirë për të parandaluar gripin është marrja e vaksinës antigrip në muajin shtator. Specialistët sqarojnë se për t’i bërë parapritë virusit të gripit duhet të merret në farmaci vaksina antigrip. Specialisti i ISHP-së, Dritan Ulqinaku, sqaroi dje për gazetën “Albania” se tashmë është periudha më e mirë për të kryer vaksinimin, pasi më vonë bërja e vaksinës nuk ka efekt. Sipas tij, këtë vit vaksina duhet të merret më shpejtë se vitet e tjera dhe qytetarët të mos presin muajin tetor apo nëntor. Kjo vjen si pasojë e ndryshimit të menjëhershëm të motit në vend. Më të rrezikuar nga gripi janë fëmijët dhe të moshuarit të cilët janë më të prirur për të marrë më me lehtësi viruset nëpërmjet ajrit, apo mënyrave të tjera të kontaktit.
Farmacitë
Detyrimisht vaksina antigrip duhet të ishte shpërndarë në të gjitha farmacitë e vendit në mënyrë që të bëhej blerja nga qytetarët. Por, farmacistët pohojnë se asnjë dozë e vaksinës antigrip nuk gjendet nëpër farmacitë e kryeqytetit. Arsyeja kryesore është sepse grosistët nuk kanë bërë blerjen e saj nga vendet e huaja që vendi ynë ka marrëveshje. Sipas farmacistëve blerja e vaksinës dhe shpërndarja e saj kushtëzohet nga disa faktorë. Kjo pasi vaksina vjen në doza të vogla sepse nga eksperienca e viteve të kaluara, vaksina nuk blihet nga qytetarët dhe detyrimisht mbetet stok. Sipas farmacistëve, vaksinën antigrip nuk mund ta mbajnë me doza të larta në farmaci për shkak të rrezikut nga mbetja e saj dhe ata janë të detyruar që më pas ta flakin atë. Ndërkohë që dalin me humbje nga mosblerja e saj nga qytetarët. Për më tepër kostoja e saj është e lartë për të përballuar blerjen nga të gjithë personat e një familjeje, pasi ka një vlerë prej 1300 lekësh.
Qytetarët
Specialisti i ISHP-së, sqaron se ftohja e menjëhershme e motit pritet të shtojë numrin e të prekurve nga virusi i gripit. Ndërkohë që pritet që spitalet të kenë fluks pacientësh, i cili do të vijë në rritje. Numrin më të madh të të prekurve e përbëjnë fëmijët e vegjël dhe të moshuarit. Pavijoni i Pediatrisë është spitali më i tejmbushur gjatë gjithë sezonit dimëror. Për parandalimin e përhapjes së virusit të gjithë qytetarët duhet t’u drejtohen farmacive për të bërë blerjen e dozave të vaksinave antigrip. Kjo do të jetë mënyra e vetme për përballimin e situatës së gripit gjatë sezonit të ftohtë dimëror. Vitin e kaluar, situata nëpër spitalet e vendit ishte tepër alarmante për shkak të mungesës së vaksinës antigrip në farmaci dhe mosinjektimin në kohë.
Drejtoresha e QSUT-së: “Tenderat për medikamentet do zhvillohen në tetor”
Të gjitha procedurat për prokurimet dhe blerjen e medikamenteve kanë afat të fundit tetorin. Drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, u shpreh se procedurat kanë afat të fundit tetorin, por nëse tenderat nuk arrijnë të përfundojnë atëherë do të kërkohet një shtyrje e afatit, pasi mungesat në spitalet janë të mëdha. Sipas drejtoreshës Kuli, të gjitha këto proceduara duhet të mbylleshin gjatë muajit mars –prill, por problemet që u shfaqën gjatë kësaj kohe bënë që tenderimet të mos kryheshin. Këto prokurime kanë të bëjnë me blerjen e medikamenteve dhe aparaturave të domosdoshme për rastet e urgjencave dhe për furnizimin e pavijoneve me barna. Aktualisht, QSUT-ja ka probleme të mëdha të mungesave në medikamente, madje ende nuk është bërë shpërndarja në pavijone e medikamenteve të mbetura stok. Sipas drejtoreshës së QSUT-së ende nuk ka filluar auditimi në këtë qendër. Ndërkohë që problemet janë të shumta përsa i përket strukturës së fryrë të administratës në QSUT, Kuli u shpreh se shkurtimet janë bërë gjatë muajit gusht dhe shtator, por nuk pritet që të bëhen shkurtime drastike të menjëhershme për 140 punonjës të administratës. Ndërkohë që, operacionet e ndërprera në fillim të korrikut tashmë kanë nisur të kryhen në QSUT. Ndërkohë që datat për operacionet për pacientët po ricaktohen në, duke ndryshuar ato që ishin vendosur më parë. Drejtoresha e QSUT-së i bëri deklaratat pas një takimi që pati me mjekë specialistë gjermanë, të cilët ofruan ndihmën e tyre në rastet e urgjencave.
20 Shtator 2008