E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronësia e rezidencës qeveritare, ndalohen tre protestues



VLORË – Edhe gjatë ditës së djeshme janë rikthyer protestat e banorëve të zonës së Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku gjatë përplasjeve me Gardën e Republikës, janë ndaluar tre shtetas. Prej disa kohësh, një familje vlonjate pretendon pronësinë e truallit ku ndodhet vila qeveritare. Dje ka qenë protesta e radhës, ku u shënua një tjetër konflikt me punonjësit e Gardës, të cilët kanë rrethuar tokat pranë rezidencës. Qytetarët pretendojnë se në bazë të dokumenteve që zotërojnë, toka është pronë e tyre dhe "pushtimi" është fare i padrejtë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës pohojnë se janë shoqëruar tre vëllezërit e familjes Kadena, të cilët janë marrë në pyetje dhe pritet të nisin hetimet në gjendje të lirë.

Ndalohet inxhinieri i komunës, akuzohet për korrupsion

SHKODËR – Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e gjyqësorit të shkallës së parë, duke rikthyer hetimet për zyrtarin e komunës së Velipojës, i cili është ndaluar dje, pasi është vënë nën akuzë prej disa muajsh për akuzën e “korrupsionit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se të premten, rreth orës 15.00, u ekzekutua urdhri i Prokurorisë së rrethit të Shkodrës, i lëshuar dy ditë më parë, me vendim të Gjykatës se Apelit, për ndalimin e shtetasit Leke Marku, lindur dhe banues në fshatin Velipojë. 37-vjeçari me detyrë inxhinier pranë komunës së Velipojës është shpallur person në kërkim që prej ditës së djeshme pasi akuzohet për veprën penale të ”korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”. Hetimi ndaj tij ka nisur disa muaj më parë, por gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër, me vendim të datës 23 gusht dha masën e sigurisë “detyrim paraqitje para prokurorit”, duke e hetuar në gjendje të lirë. Ky vendim u shfuqizua nga Gjykata e Apelit, e cila me vendimin e dhënë dy ditë më parë ka vendosur kthimin e çështjes për rigjykim pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor Shkodër. Zyrtari i komunës është kapur në flagrancë duke i marrë një shumë parash një shtetasi, në këmbim të lejes për të ushtruar aktivitet sezonal në bregdetin e Velipojës gjatë sezonit të verës.

20 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›