E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Morinë - Merdarë” Rruga e Kombit, Berisha e Thaçi përurojnë sot punimet

Autori i Lajmit: Redaksia

Prizreni, qyteti më i afërt me pikën kufitare në Vërmicë, prej ku fillon ndërtimi i autostradës kosovare, ka filluar të marrë pamjen festive në prag të fillimit të punimeve. Që dje rrugët janë mbushur me flamuj dhe pankarta të shumta reklamuese. Punimet për Rrugën e Kombit do të nisin sot në një ceremoni solemne. Ndërsa prerjen e shiriti është paralajmëruar ta bëjnë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Sali Berisha, i cili vitin e kaluar është shpallur Qytetar Nderi i Prizrenit. Prizreni është mbushur me pankarta të shumta reklamuese, në të cilat shkruhet: “Vazhdojmë bashkë”, të shoqëruara me foto nga takimi i kryeministrave Sali Berisha e Hashim Thaçi, vitin e kaluar gjatë hapjes së tunelit të Kalimashit, në autostradën Durrës - Kukës. Zyrtari komunal për media, Ymer Berisha, tha se në koordinim me Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, komuna e Prizrenit ka bashkërenduar punët për një organizim sa më dinjitoz, të këtij projekti ndër më domethënësit në fushën e infrastrukturës, sidomos për rajonin e Dukagjinit.
Përurimi
Fillimin e punimeve për vazhdimin e autostradës në pjesën e Kosovës, projektit më të madh të infrastrukturës në Kosovë, autostradës Morinë-Merdarë, është paralajmëruar ta shënojë simbolikisht shpërthimi i një eksplozivi në Vërmicë.
Në pikën kufitare në Vërmicë, të dielën në mesditë, në një solemnitet të madh, krahas qytetarëve nga të gjitha viset shqiptare, janë ftuar të marrin pjesë personalitete të larta nga Kosova e Shqipëria, përfaqësues të partive politike dhe udhëheqës të komunave kosovare, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Ndërkaq, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar edhe homologun e tij, Sali Berisha, i cili pritet që bashkë me shumë autoritete të Republikës së Shqipërisë të jetë i pranishëm në këtë ceremoni festive që shënon momentin kur autostrada Durrës – Merdare, apo “Rruga e Kombit”, si po quhet, fillon të lëshojë shtat edhe në pjesën kosovare.
Rruga e Kombit
Autostrada Morinë-Merdare, e cila është vazhdimësi e autostradës Durrës – Morinë, lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Shqipërisë, ndërsa Kosovës i krijon mundësi të daljes në det duke e lidhur pikën më të skajshme kufitare të Kosovës, Merdaren me portin e Durrësit. Bëhet me dije se janë bërë të gjitha përgatitjet që të fillohen punimet, pas një pune të suksesshme që ka bërë Komiteti Ndërministror, pjesë e të cilit janë Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, si dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Vetë ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, i cili është edhe në krye të Komitetit Ndërministror, ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e punimeve, ndërkaq ka ftuar gjithë zyrtarët dhe qytetarët e Kosovës që këtë fundjavë ta kalojnë në Vërmicë.

Ky lajm është publikuar: 25/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›