E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, vrasja për kullotën, pranga dhe 2 të tjerëve

 

KORÇE - Ka shkuar në tre numri i të arrestuarve për vrasjen e Reshat Hadrit në fshatin Podgorie të rrethit të Korçës. Fill pas vrasjes së kryer nga Ismail Goroveci e 60-vjeçarit Hadri mes dy fiseve është tensionuar situata. Banesat e tyre i ndan vetëm një rrugicë rreth dy metra e gjerë, gjë që përbënte një rrezik për një gjakderdhje të mundshme. Është kjo arsyeja që punonjës të policisë kanë qëndruar aty gjatë gjithë natës dhe dje gjatë kryerjes së ceremonisë mortore të viktimës. Këto masa sigurie janë bashkëshoqëruar edhe me vazhdimin e hetimeve rreth situatës dhe rrethanave të ndodhjes së vrasjes. Në fshat dje qarkullonte mendimi se vrasja mes dy fiseve ishte diçka e paralajmëruar mbasi sherret mes tyre ishin të hershme. Grupi i hetimit ka zbardhur faktin se konflikti ka qenë më i madh sesa u duk në fillim. Dy fiset kanë pasur grindje, sherre e kërcënime të vazhdueshme, deri në vrasjen e ndodhur mbrëmjen e së shtunës. Gjatë hetimeve u zbardh fakti se autori Goroveci ka pasur bashkëpunëtor në krimin e tij një vëlla dhe një nip. Pikërisht këta persona dje në orët e mbrëmjes janë arrestuar nën akuzën e bashkëpunimit në vrasje. Ata janë shoqëruar në mjediset e Komisariatit të Policisë të Korçës dhe që mbrëmë ka filluar marrja në pyetje. Sipas policisë, shtëpitë e autorit dhe viktimës ishin përballë njëra-tjetrës. Të shtunën, bagëtitë e familjes Hadri hynë në kullotën e familjes fqinje, duke shkaktuar dhe tensionin mes anëtarëve të familjeve e më pas vrasjen.       j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›