Mos harro më të mirën
Walter BENJAMIN
Një person i njohur prej meje kishte qenë më i rregullt pikërisht në atë periudhë të jetës së tij, kur kishte qenë më keq.
Ai nuk kishte harruar asgjë.
I regjistronte deri më një të gjitha punët e veta dhe, kur ishte fjala për ndonjë takim – që nuk ndodhte kurrë ta harronte – ishte përpikmëria vetë. Rruga e tij jetësore kishte qenë e blinduar dhe pa asnjë plasë, ku mund ta qëllonte koha.
Vazhdoi kështu për një kohë bukur të gjatë.
Pastaj erdhën rrethanat, që patën si pasojë ndryshime në jetën e tij.
E filloi me heqjen dorë nga ora. U ushtrua që të shkonte në takime me vonesë dhe, kur tjetri tashmë kishte ikur, ulej e priste.
Kur duhej të zinte gjë me dorë, rrallëherë e gjente, madje e kërkonte gjetkë, duke e shtuar rrëmujën atje edhe më shumë.
Kur i afrohej tryezës së shkrimit, ajo dukej sikur dikush tjetër kishte punuar më përpara aty. Por ai vetë kishte punuar dhe ishte rropatur mes rrëmujës...
Dhe ashtu si fëmijët që kudo, nëpër xhepa, në rërë, nëpër sirtarë, ndeshen me sende të harruara, të cilat vetë i kanë fshehur, kështu i ndodhte gjithashtu atij, jo vetëm në mendime, por edhe në jetë.
Miqtë e vizitonin kur mendonte më pak për ta, kurse po të kishte nevojë për dhuratat e tyre, jo me ndonjë vlerë kushedi se çfarë, i vinin pikërisht në kohën e duhur, a thua se ai kishte në dorë udhët e qiellit.
Atëherë i kujtohej, para së gjithash, ajo legjenda e bariut të vogël, i cili një ditë prej ditësh gjeti një thesar në male bashkë me një këshillë të urtë dhe enigmatike: “Mos harro më të mirën.”
Në atë kohë, ai thjesht ndihej për mrekulli. Shumë pak punë mbaronte dhe nuk quante asgjë të mbaruar.
Përktheu Afrim Koçi
19 Tetor 2008