Evenimenti në vigjilje të 5-vjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës
Petrika GROSI
Mbrëmjen e djeshme në pasarelën e ngritur brenda sallës “Iliria” te hotel “Sheraton” është zhvilluar performanca artistike “Nënë Tereza – Shenja shenjtërie”, e stilistes Merita Toçila, nën kujdesin e veçantë të Zonjës së Parë, Teuta Topi. Ishte pikërisht Zonja e Parë, ajo e cila mori fjalën përshëndetëse të këtij aktiviteti të veçantë, duke theksuar mes të tjerash se ishte kënaqësi mbështetja e një aktiviteti të tillë, modern e kaq sublim, kushtuar “shenjtores” shqiptare Nënë Tereza. Me recitimin e poezive të Nënë Terezës në sfond, ka nisur shfaqja. Fillimisht dalja e dy engjëjve të vegjël, ka befasuar duke korrur duartrokitjet e para të publikut që kishte në përbërje njerëz nga media, arti, biznesi e politika. Nëse politika krijon përçarje mes meshkujve, arti dhe ngjarje të tilla kaq të rëndësishme, (ku për fat të keq mungonte ministri i Kulturës) duket se bashkon femrat. Të pranishme në këtë ngjarje ishin të ulura përbri njëra-tjetrës edhe tri zonjat “e para” shqiptare, bashkëshortja e presidentit Teuta Topi, bashkëshortja e kryeministrit Liri Berisha dhe kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, të cilat e kanë ndjekur me vëmendje performancën artistike dhe sfilatën e modës që vijoi më tej me daljen e vajzave në pasarelë, shoqëruar nga muzika e zgjedhur dhe recitimin e vargjeve të shkruara nga Nënë Tereza kur ishte gjallë. Të ftuar në sfilatë kanë qenë personalitete të ndryshme të artit pamor dhe atij skenik, gjithashtu nuk mungonin intelektualët, biznesmenë, deputetë dhe përfaqësuesit e medias dhe besimeve fetare. Sa i takon sfilatës mund të thuhet se ishte tejet e realizuar dhe krejtësisht një gjetje e suksesshme. Veshjet e stiluara nga Toçila ndërthurnin modernen me klasiken, të vjetrën me të renë, të shkuarën me të ardhmen. E tashmja dukej si e ngrirë në vend, që herë vinte dhe herë shkonte. E pra një ndjesi e veçantë që të krijohej nga stilimet sa futuriste, aq edhe ekstravagante e njëherësh klasike. Ngjyrat e përdorura nga stilistja kanë qenë ato të veshjes së Nënë Terezës, kryesisht e bardha dhe bluja. Në fund të shfaqjes një figurë bust, që simbolizonte Nënë Terezën është interpretuar nga aktorja e përzgjedhur për këtë pjesë. Pas mbylljes së sfilatës, Bujar Kapexhiu nisi drejtimin e ankandit të pikturave, të cilat në pjesën më të madhe të tyre u shitën për çmime modeste. Më e shtrenjta ishte një vepër e piktorit të njohur Skënder Kamberi e cila u ble për 1350 euro. Siç dihet, paratë e mbledhura nga ankandi shkojnë për bamirësi. Për të disatën herë Merita Toçila befason publikun duke na surprizuar të gjithëve me talentin e saj. Madje jashtë kamerave, Toçila deklaron se sërish do të surprizojë publikun me një tjetër gjetje në sfilatën e saj të ardhshme profesionale. Deri tani kemi parë “Eva dhe Adami, zanafilla e botës”, bukuroshja e fjetur që del nudo në skenë, pastaj vajzat me veshje moderne të frymëzuar në stilim nga Nënë Tereza, po kjo sfilatë tjetër ç’të jetë vallë?!...
19 Tetor 2008