Poeti vjen dhe ik...
Teksa përshkoja korridoret, zyrat mondane ku dikur kishin punuar anëtarët e byrosë politke dhe tek shfletoja dokumentat arkivorë, ende pa fituar sigurinë në vetvete për punën që kryeja, më bënte përshtypje fakti se në këtë institucion të lartë të kulturës, ndonëse në një shtet ku mbizotëronte pluraliteti i mendimit, ende nuk shihja njerëz të kulturës, aq më pak shkrimtarë. Teksa i bëj sot analizën asaj situate më të cilën u ndesha dikur, arrij në përfundimin se, në përgjithësi, krijuesit në Shqipëri kanë një fobi përsa i përket afrimit e bashkëpunimit me institucionet shtetërore. Kjo padyshim ka edhe një impakt, që vjen si pasojë e rezonimit që shkakton e kaluara në vetëdijën e tyre.
Ermir NIKA
Përgjatë udhës nëpër të cilët depërton një jetë njerëzore, çdokush është i vetëdijshëm që ajo fasadë me të cilën vështrimi ynë ka qenë veshur, nëpërmjet formimit pranë katedrave dhe përvojës së përftuar nga literaturat, arrin të vetëdijësohet se ky nuk ka qenë veçse një këndvështrim i kufizuar, ku pas shembjes së fasadës, atëkohë njeriu gjendet përballë një realiteti të mveshur me vel misteri e thepisje nga ku thirrjes tënde i përgjigjet vetëm një jehonë e largët, që sa vjen e shuhet në humbëtirë. Asnjëherë nuk pata menduar se një ditë do të gjendesha i dyzuar midis poetit dhe burokratit. Dhe kjo udhë nisi në ndërtesën, që ka drejtuar politikën shqiptare përgjatë gjysëm shekulli. Teksa përshkoja korridoret, zyrat mondane ku dikur kishin punuar anëtarët e byrosë politke dhe tek shfletoja dokumentat arkivorë, ende pa fituar sigurinë në vetvete për punën që kryeja, më bënte përshtypje fakti se në këtë institucion të lartë të kulturës, ndonëse në një shtet ku mbizotëronte pluraliteti i mendimit, ende nuk shihja njerëz të kulturës, aq më pak shkrimtarë. Teksa i bëj sot analizën asaj situate më të cilën u ndesha dikur, arrij në përfundimin se, në përgjithësi, krijuesit në Shqipëri kanë një fobi përsa i përket afrimit e bashkëpunimit me institucionet shtetërore. Kjo padyshim ka edhe një impakt, që vjen si pasojë e rezonimit që shkakton e kaluara në vetëdijën e tyre. Është i qartë tashmë fakti që komuniteti i shkrimtarëve ka qenë një ndër sferat më të mbikqyrura dhe të persekutuara, shpesh duke krijuar edhe viktima si kundërvënie ndaj ideologjisë së imponuar. Edhe në ndonjë rast kur ndonjëri prej tyre pranonte një vend pune në ministri, vëreja se kjo nuk zgjaste shumë, në krye të disa muajve ai do të goditej sërisht e largohej nga puna. Edhe sot e kësaj dite nuk jam i sigurt nëse për këtë e kish fajin papajtueshmëria e shkrimtarëve me sistemet politike, apo ndoshta mëkatin e bartte godina (ish-selia e KQ Të PPSH).. Aty në çdo hap e situatë më ngjante ende fanitja e hijes së diktatorit, fryma e konfliktit dhe komplotit sikur ishte e prekshme në çdo mjedis, ku pesha e së kaluarës ishte e pranishme gjithëkund. Në këto kushte, e vetmja rrugëzgjidhje ishte të bëja një pakt me veten. Në asnjë rrethanë nuk duhet ta shfaqja veten si njeri i letrave, pra vendosa të heshtja e ta pagëzoja veten, ashtu si dikur Odiseu me emrin Askushi. E kështu të mos botoja për një periudhë disa vjeçare.
Ndërkohë, në brendinë time më rëndonte dënimi që u pata dhënë dorëshkrimeve të mia. Në atë periudhë më qëllonte të vizitoja herë pas here Lidhjen e Shkrimtarëve, e cila së largu më ngjante herë me një tempull, herë me një kishë të dënuar të mbyllej, ku takoja miqtë, të vetmit poetë që mbanin hapur dyert e saj, të cilët ashtu si murgjit e nëmur, e mbysnin stresin me biseda të tejzgjatura, alkol dhe tymin e nikotinës. Gjendeshim në një kohë të vështirë tranzicioni e mbijetese, ku shkrimtarët shiheshin si qenie që i përkisnin një tjetër orbite, tjetër realiteti, që nuk kishin të bënin aspak me moralin, interesat dhe botëkuptimin që karakterizonte ligjet e pashkruara, nëpërmjet të cilave kishte ndërtuar jetën shoqëria jonë në vitet e pluralizmit.
Në kujtesën time nuk mund të fshihet ajo ditë, kur recepsionisti më njoftoi se dikush për të - një plak endacak), më priste te porta kryesore. Më tha gjithashtu se nuk mund ta lejonte të ngjitej lart, për arsye të veshjes së tij. Zbrita poshtë rutinshëm për të pritur të sapoardhurin dhe befas, në pamjen prej eremiti, njoha poetin e mikun tim Frederik Rreshpjen. Njeriu që nuk kish gjetur prehje jo vetëm me sistemet politike, rrymat letrare, por edhe me rrymat e ajrit. U trondita me pamjen që mu shfaq. Përballë meje qëndronte poeti që kish nisur udhën për t’iu larguar kësaj bote. Një borsalinë e lagur nga shirat e porsanisur të vjeshtës hijëzonte dy sy gati të shuar, gropëzat e faqeve mbuloheshin nga një mjekër e parruar, xhaketa e ndotur, pizhamat dhe shapkat e lidhura me tel të jepnin pamjen e një njeriu, tek i cili qenë mishëruar tipologjitë e rendeve shoqërore që nga mesjeta e deri në kohët moderne.
“Sapo mbërrita nga Moska, ku pata një takim me Putinin”, më tha Fredi me zërin e tij të mekur. Këto çaste kur dilte jashtë realitet dhe binte pre e haluçinacioneve, ishin normale për ne që e njihnim së afërmi. S’e zgjata, por iu hodha në qafë dhe, nga mënyra sesi e prita dhe sesi e nderova, kolegëve të mi u bëri përshtypje. Ua prezantova, dhe u thashë se ky njeri është një nga poetët më të mëdhej të Shqipërisë, por ata më panë vëngër. Pamja e tij nuk paraqiste një poet të kollarisur, ashtu siç ishin mësuar të shihnin, por një bohem që transmetonte vetëm trandjen e epokës së cilës i përkiste. Pasi u përshëndoshëm, Frederiku m’u lut që bisedën ta bënim në ndonjërën nga baret aty pranë, pasi ambjenti i zyrave nuk i bënte mirë për shëndetin (prej kohësh vuante nga zemra dhe frymëmarrja e rënduar). Ato kohë, Fredin e kish kapluar një gjendje depresive dhe po përjetonte intensivisht braktisjen. Atë e shoqëronte një djalë, që nuk e lidhte asgjë me letërsinë dhe takimi me Fredin i mbetej rastësisë së një nate të ftohtë dimri, kur ky njeri, të cilit as sot nuk ia mbaj mend fytyrën, kish hasur një plak të vetmuar teksa dëneste rrugëve i vetëm. Ndjeva keqardhje për të, m’u shpreh gjatë bisedës djaloshi me vështrim të egër. Uën jam tregtar, kam një motel që e frekuentojnë çiftet, më tha ai. Atë natë m’u gjend një dhomë bosh dhe aty e strehova Fredin. Ai sapo ishte arratisur nga azili, ku e pati regjistruar miku i tij Moikom Zeqoja. Ashtu si në përçartje, më tha se ishte poet dhe unë u çudita mjaft që pata fatin të takoja një poet, ndonëse shkollën e librat i braktisa që në klasë të dytë fillore, kështu e ndjeva si detyrim të bëja diçka, aq sa mundja: lajmërova mjekun dhe i bëra të gjitha shërbimet e mundshme. Më bënte përshtypje që ky plak me një këmbë në varr, më kërkonte letra e laps dhe shkruante, vazhdimisht shkruante deri natën vonë, pastaj m’i jepte mua t’i i lexoja dorëshkrimet e tij, pasi kritikët, kolegët dhe të afërmit e kishin lënë në harresë dhe hera-herës shkrehej në ngashërim dhe humbiste ndjenjat për këtë gjë. Unë kam patur raste që jam përleshur fizikisht me njerëz, vijonte djaloshi bisedën, kam bërë disa vjet burg, por kësaj gjendje nuk i rezistoja dot (sytë e tiparet e tij çuditërisht u zbutën dhe u njomën nga lot të beftë). Kohë më vonë, dhomën e motelit e shndrrova në një studio për Fredin. Aty ngrita një bibliotekë, instalova një kompiuter pasi Fredi më shprehej se kishte një dëshirë që, para se të vdiste, t’i shihte të botuara poezitë e tij. Kështu, doja s’doja, e pashë të udhës të bëja një kurs kompiuteri për të radhitur poezitë e Fredit. Ai shkruan shumë bukur, ka një stil që nuk e kam hasur te të tjerë poetë shqiptarë apo të huaj, tha djaloshi. Pastaj vazhdoi: Tani motelin më duhet ta mbyll, aty më së shumti vijnë shkrimtarë dhe njerëz të kulturës për të takuar Fredin dhe çiftet më janë larguar. Me sa shoh, edhe ju këtu në Ministri qenkeni mjaft ngushtë me dhoma, pasi edhe këtu hyjnë e dalin shumë të rinj, dhe jam i bindur se Fredit nuk do t’i pëlqente të jetonte këtu.
Fredi, që ndonëse i rënduar nga shëndeti nuk i shpëtonte asnjë fjalë nga bashkëbisedimi ynë, na ndërpreu: Jo, as që bëhet fjalë të jetoj këtu! Më mirë të vdes, sesa t’i shkoj ditët e fundit në këto zyra të shtetit monist. Kam bërë 17 vjet burg dhe sapo vë këmbën në ndonjë zyrë shtetërore, të gjithë ata që punojnë aty, më duken si komunistë. Më pas iu fal heshtjes së tij, duke thithur me nge çibukun e mbushur me duhan taraboshi. Pastaj biseda me djaloshin rrodhi rreth tematikave letrare. Po vëreja se ky njeri, dikur kontigjent i rrezikshëm, kishte mësuar diçka falë bisedave me Fredin.
Në fund, Frederiku më dorëzoi poezitë e radhitura, dhe unë, poeti i veshur nën petkun e zyrtarit, për herë të parë e pashë veten të dyzuar ndërmjet poetit dhe ligjit. Pasi ligji nuk lejonte të botoheshin veprat e autorëve të gjallë me subvencione shtetërore. Ato poezi ia paraqita Ministrit të Kulturës të asaj kohe, duke i folur për vlerat dhe fatin që e pat përndjekur Fredin përgjatë jetës së tij në të dy sistemet, dhe gjithashtu iu luta për ta mbështetur financiarisht botimin e kësaj vepre dorëshkrimore. Kur pa sa po këmbëngulja, megjithëse nuk e njihte poetin, zoti Ministër premtoi mbështetje, meqë sipas tij, nuk i pata kërkuar asnjëherë ndonjë favor. Në të vërtet pengu im ishte tjetër, doja që rasti i Lasgush Poradecit të mos përsëritej sërisht, pra, rasti kur poeti shpalljej i vdekur që në gjallje. Në krye të disa muajve, vepra u botua. Lavdi Zotit që Fredi e pa për së gjalli. Pas pak kohësh, ashtu siç na pati paralajmëruar të gjithëve, ai ndërroi jetë.
Aso kohe, kahjet e pushteteve politike në Shqipëri po ndryshonin. Thua se si pasojë atyrereve çka fliteshin për pushtimin nga shpirtrat e këqinj të godinës së ish- Komitetit Qendror, selia e Ministrisë së Kulturës si për ironi u zhvendos në njërën prej ndërtesave të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme, konkretisht në ambjentet e zyrave të kriminalistikës, përbri Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Nga dritaret e pasme të godinës, çdo ditë na qëllonte të shihnim togat e policëve dhe gardianëve që rreshtoheshin në orë të cakturara, armatimet, uniformat, sirenat e policisë, të dënuarit e lidhur me hekura, tranvestitët që endeshin në kërkim të amnistisë dhe, më tej, laboratori i policisë shkencore. Dhe kështu më duhej të mbyllesha në unin tim krijues, për të gjetur vetveten dhe qetësinë e kërkuar, në orët e vona të pasdites, atëherë kur korridoret dhe zyrat e dikasterit zbrazeshin nga zyrtarët, kohë kur ishin ndërruar rojet e oborrit përballë dhe sirenat e policisë rralloheshin. Atëherë ulesha e shkruaja letërsi. Mbaj mend se ato qenë të vetmet momente lirie dhe rikthim tek vetvetja. Kështu kaluan gati tre vjet, derisa muaj më vonë, mësuam së do të zhvendoseshim në ndërtesën e ish-Lidhjes së Shkrimtareve.
Tashmë kohët kanë evoluar, njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe strukturat shtetërore po i kushtojnë gjithmonë e më tepër vëmendje e përkujdesje njerëzve të letrave, çka dëshmon edhe për një shkallë emancipimi të krejt sistemit tonë shoqëror ndaj vlerave të qëndrueshme. Por shkrimtarët në Shqipëri ende shfaqin indiferencë, kur bëhet fjalë për të qenë pjesë e hartimit të strategjive dhe ligjeve për artin e kulturën. Sipas gjykimit tim, si përfindim i analizës që kam bërë brenda vetes për gjithë sa kam përjetuar në të dy kahjet, ata e kanë ndërtuar jetën në bazë të disa kodeve dhe ligjeve të pashkruara, pra disi brenda një bote ekzotike. Mirëpo është e nevojshme që, përgjatë ndryshimimeve në proçeset e reformimit, shkrimtarët të jenë prijëtarët dhe vizionarët për udhën që duhet të ndjek vendi ynë, pasi nuk është shteti që krijon individin, por individët që krijojnë shtetin. Ndaj edhe ai shumë herë na shfaqet në trajtat e qenies njerëzore, herë i dashur e i dhembshur, herë i ashpër, nganjëherë me dukje mospërfillëse, dhe e gjithë kjo është e destinuar të ndodhë, përderisa kjo hierarki është krijuar si fortesë që bart një të kaluar dhe i paraprin një të ardhme nga vetë njeriu.
19 Tetor 2008