Mos prisni përafrim politik nga bisedimet në Bruksel

Pasi ishin mbledhur për ta përuruar librin e tyre historik, ambasadori gjerman në Kosovë dhe ai francez, në kontekst të historisë, kanë folur edhe për Kosovën dhe relacionet e saj me fqinjët, si Serbinë.
Lidhur me këtë, ambasadori gjerman në Kosovë, Peter Blomeyer, ka porositur kosovarët që të mos presin që të ketë një përafrim në mes të Kosovës dhe Serbisë nga bisedimet në Bruksel, por këtë ai ka thënë se duhet ta bëjnë vetë qytetarët.
“Thirrja ime për ju është që të mos pritni përfarim politik nga bisedimet në Bruksel, pasi që këtë mund ta bëni ju studentët dhe profesorët. Ashtu si Gjermania dhe Franca edhe ju në të ardhmen mund ta bëni një libër të përbashkët”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk është e thjeshtë të gjendet pajtimi për një pasqyrë të përbashkët të historisë, duke e cilësuar atë si shumë të vështirë. Por, ai ka thënë se, pavarësisht vuajtjeve që kanë përjetuar populli gjerman dhe francez, sot, të dy popujt e përpilojnë një libër historik të përbashkët. Prandaj, librin që sot e promovuan, ambasadori gjerman shpreson të mos jetë i vetmi libër historik që do të botohej nga dy popuj.
Kurse ambasadori francez në Kosovë, Zhan Fransua Fitu, duke iu referuar historisë në mes të popullit gjerman dhe francez, ka thënë se bashkëpunimi mes dy shteteve u arrit nëpërmjet bashkëpunimit politik, bashkëpunimit mes të rinjve dhe mes universiteteve të dy shteteve, gjermanët mësojnë frëngjishten dhe francezët mësojnë gjermanishten dhe kjo, sipas tij, nuk do të thotë se gjermanët janë bërë francezë apo francezët gjermanë, por kjo do të thotë se njerëzit janë ata që janë.
Lidhur me raportet Kosovë-Serbi, ai ka thënë se e kupton gjendjen e vështirë rinia kosovare dhe nuk mund ta përballojë lehtë, duke shtuar se njëri nga sukseset e të dy popujve është edhe fakti se nuk e kanë harruar historinë e tyre.
Ai ka thënë i di vuajtjet e kosovarëve, por ka premtuar mbështetjen e Francës që Kosova të ecë në rrugën drejt Evropës.
“E dimë se cilat janë dhimbjet dhe vuajtjet tuaja. Lufta juaj është lufta jonë. Franca dhe Gjermania janë përkrahë jush, së pari për t’ju shpëtuar, pastaj për t’ju mbrojtur dhe inkurajuar me hapa të sigurt drejt një Evrope që sot është gjallë falë Gjermanisë dhe Francës”, ka thënë ai.