E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos pritni mrekulli nga Franca

Franca është ende në proces të rindërtimit pas fiaskos në Kampionatin botëror dhe nuk mund të priten mrekulli në Euro 2012, ka thënë selektori Laurent Blanc të premten.

Les Blues që u eliminuan në fazën e grupeve të garës në Afrikën e Jugut pas dramës në fushë dhe jashtë saj, u kualifikuan për Evropianin në Poloni dhe Ukrainë edhe pse nuk impresionuan në fushatën kualifikuese dhe përfunduan me vetëm një pikë më tepër se Bosnja e Hercegovina.

Blanc, i cili mori detyrën nga Raymond Domenech pas debaklit në Botërorin 2010 i tha të përditshmes sportive franceze L’Equipe se njerëzit nuk duhet të presin mrekulli nga Franca në Euro 2012.

“Në 15 muaj, njerëzit duan që në të kemi një ekip të shkëlqyeshëm me futbollist yje dhe të luajmë si Holanda, Spanja ose Gjermania. Nuk është e mundur. Ne kemi thënë, dhe e themi sërish, nevojitet kohë. Ju nuk mund të blini kualitetin e lojës, ose një ekip në supermarket”, tha Blanc i cili theksoi se nuk e konsideroi si opsion përjashtimin e atyre që ishin të përfshirë në debaklin në Afrikën e Jugut.

“Gjurmët do të jenë gjithmonë aty, duhet të jetojmë me to. Ata të gjithë bënë gabime, të gjithë. Por, duhet të shikojmë përpara”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›