E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos u besoni sondazheve!

Zgjedhjet presidenciale në SHBA nuk do të jenë të lira dhe të drejta, sepse miliona zgjedhësve ose nuk do t‘u lejohet të votojnë, ose nuk do t‘u numërohen votat siç duhet. Kjo mund t‘i kushtojë Barak Obamas (Barack Obama) me Shtëpi të Bardhë, edhe nëse ai fiton shumicën e votave më 4 nëntor. Ky deklarim sensacional bazohet në një hulumtim nga "New York Times" (NYT) dhe "BBC Newsnight". NYT gjeti që, në disa shtete, për secilin votues të regjistruar gjatë muajve të kaluar, dy votues janë hequr, duke shfuqizuar lëvizjen e madhe të Obamas për të regjistruar votuesit e vet. Ky spastrim i votuesve mund të thotë se më pak njerëz do të votojnë tani sesa që kanë votuar në vitin 2004. Në Kolorado, për shembull, ku ka ndodhur një rritje e theksueshme e popullatës që nga zgjedhjet e fundit presidenciale, shteti ka regjistruar një humbje prej afro 100 mijë votuesish nga regjistrat e tij, që nga viti 2004.

Luiziana, Miçigani dhe Kolorado po shlyejnë votues të regjistruar nga regjistrat e tyre brenda 90 ditëve para zgjedhjeve federale, gjë e cila është ilegale pos nëse votuesit kanë vdekur, i lajmërojnë autoritetet se janë bartur jashtë shtetit apo janë deklaruar të paaftë për votim. Ky shpërdorim i gjerë elektoral është në mënyrë të pavarur i vërtetuar nga një hulumtim i "Newsnight" nga ana e Greg Palast. Ai na përkujton se gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2004, në mes 1.6 dhe tre milionë vota ishin dhënë, por kurrë nuk ishin numëruar, sipas Komisionit për Ndihmë Elektorale të SHBA-së. Këto janë mjaft vota sa për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve dhe mund ta kishin dërguar John Kerry-n në Shtëpinë e Bardhë. Palast thotë se afro tre milionë votues tashmë janë shlyer nga regjistrat e votuesve, shumica votues të varfër apo me ngjyrë, të cilët më shumë kanë shanse të votojnë për demokratët.

Gjatë zgjedhjeve në Nju Meksiko në fillim të këtij viti, një në nëntë votues zbuluan se emri i tyre ishte zhdukur nga regjistrat e votuesve. Në Kolorado, heqja e së drejtës për votim është edhe më e madhe, me 20% të votuesve të shlyer nga lista. Kjo ka ndodhur edhe më herët. Gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2004, një nga katër votues të regjistruar të Ohajos shkuan te vendvotimet për të zbuluar se emrat e tyre nuk ishin në regjistrin e votuesve, një shkallë e përjashtimit prej 25%. Udhëheqësit demokratë janë tepër lart në euforinë e tyre "Po, ne mundemi", duhet të çojnë pluhur për shkak të kësaj heqjeje masive të së drejtës së votuesve të tyre. Ata, me naivitet, mendojnë se udhëheqja e Obamas nëpër sondazhe do t‘ia sjellë fitoren atij, pavarësisht nga njëanshmëria në regjistrat e votuesve. Mund të ndodhë. Por, prapëseprapë, mund edhe të mos ndodhë. Një formë tjetër e përjashtimit të votuesve po ndodh në Miçigan, ku 62 mijë familje me të ardhura të ulëta, shumica përkrahës të demokratëve, ballafaqohen me humbjen e shtëpive të tyre për shkak të krizës ekonomike.

Humbja e vendbanimit do të thotë humbja e adresës së tyre votuese dhe të së drejtës së tyre për votim. Shumica e dëbimeve nga shtëpitë po orkestrohen nga një kompani që e përkrah Partinë Republikane. Miçigani nuk është vetëm. Në disa shtete të rëndësishme, përfshirë Nevadan dhe Floridan, humbja e shtëpive dhe me këtë humbja e së drejtës për votim, mund të ndikojë në rezultat dhe të vendosë për Presidencën. Njëanshmëria e zgjedhjeve nuk ndalet këtu. Strategu republikan, Karl Rove, ka përkrahur një ligj të ri që kërkon nga votuesit të tregojnë karta identifikimi me foto te vendvotimet. Një në dhjetë qytetarë të SHBA-së nuk kanë karta identifikimi me foto. Në mesin e afro-amerikanëve është një në pesë. Kjo kërkesë do t‘ua heqë të drejtën e votimit miliona amerikanëve të varfër, të moshuar dhe zezakë, të cilët kanë tendencë të votojnë për demokratët. Në një shtet të asnjanshëm, Indiana, vlerësohet se 10 mijë afro-amerikanë mund të humbin të drejtën e tyre për votim. Një kombinim i shlyerjes së regjistrave të votuesve dhe kërkesës së kartës së identifikimit me foto mund të mjaftojë që të kthejë zgjedhjet presidenciale në favor të Xhon MekKeinit (John McCain), edhe nëse Barak Obama ka një përparësi substanciale në sondazhet e opinioneve në ditën e zgjedhjeve.

Duke shkruar për revistën "Rolling Stone" në vitin 2006, avokati i të drejtave civile, Robert Kenedi Jr, nipi i JFK-it, zbuloi se si parregullsitë e votimit në vitin 2004 mjaftuan që republikanët të vjedhin Presidencën. Ai gjithashtu ka demonstruar se makinat elektronike për votim, të cilat do të përdoren më 4 nëntor, nuk janë të sigurta dhe të sakta, dhe se lehtë mund të piratohen. Aq më shumë, ai tregon se tre nga katër kompanitë të cilat furnizojnë vendvotimet me makinat votuese dhe i numërojnë votat, kanë lidhje të afërta me Partinë Republikane. Duke shkruar për të njëjtën revistë këtë muaj, Kenedi dhe Palast dokumentuan parregullsi elektorale në shkallë të lartë nga ana e republikanëve, për të cilat ata besojnë se janë të mjaftueshme për të rrotulluar zgjedhjen. Ky zbulim i hulumtuar me përpikmëri dhe katalogu dokumentar, dëshmojnë se republikanët tashmë mund t‘i kenë vjedhur zgjedhjet presidenciale të vitit 2008. "Nëse demokratët do të fitojnë zgjedhjet e vitit 2008", konkludojnë Kenedi dhe Palast, "ata nuk duhet që thjesht të mundin MekKejnin te vendvotimet, por duhen ta mundin me një tepricë, që do ta tejkalojë nivelin republikan të ngatërrimit të votave".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›