Kalkulime dhe parregullsi
Prishtina nuk është më kryesuese e Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll. Bardhekaltrit, pas një kohe të gjatë, ia kanë dorëzuar këtë epitet Hysit, i cili tash e ka marrë timonin në elitën e futbollit kosovar.
Rezultatet labile të ndeshjeve të fundit bënë që prishtinasit të mbeten një pikë prapa ekipit llapjan, i cili në pranverë, sidomos që nga periudha që udhëhiqet nga trajneri i ri Fadil Ademi, nuk di të ndalet. Prishtinasit gjatë këtij sezoni patën epërsi prej 9 pikëve karshi Hysit, por ajo u shkri gradualisht dhe nga e diela Superliga e ka kryesuesin e ri.
Natyrisht, i pakënaqur me rrjedhën e xhirove të fundit është Ramiz Krasniqi. Trajneri i Prishtinës ankohet se ekipi i tij u dëmtua në këtë pjesë vendimtare të sezonit, edhe pse e nisi mirë pjesën pranverore.
Sipas tij, kalkulimet në futbollin e Kosovës janë evidente. Ai garanton se Prishtina i ka fituar të gjitha pikët me djersë, që lë të nënkuptohet se rivali, Hysi, jo të gjitha ndeshjet i ka fituar me meritë.
“Nuk po mundem më, jam lodhur me këto kalkulime dhe parregullsi në futbollin e Kosovës. Sa ka marrë kartonë Prishtina në xhirot e fundit, nuk kishte marrë për një vit e gjysmë. E them me plot përgjegjësi se Prishtina asnjë pikë nuk e ka marrë pa djersë. Jam shumë i kënaqur me atë që e shfaqën lojtarët e mi këtë sezon. Kemi treguar kualitet dhe cilësi në fushë, por kalkulimet e ndryshme na penguan. Por, të jeni të bindur se dikujt do t’i kthehet kjo në fund si një boomerang”, deklaroi Krasniqi për Express.
Sidoqoftë, trajneri prishtinas është i bindur se në fund, nëse vendos përballja direkte në mes të Hysit dhe Prishtinës, bardhekaltrit do ta fitojë titullin e kampionit.
“Ne do të vazhdojmë ta japim maksimumin në këto ndeshjet e fundit. Nëse mbetet të vendosë ndeshja e fundit për titull të kampionit, ne do të tregojmë në fushë se cili është më i miri. Besoj se në fund do ta kthejmë primatin dhe do të shpallemi kampionë”, shtoi Krasniqi.
MT: Ademi: Hysi, kryesues me meritë
Në anën tjetër, trajneri i Hysit, Fadil Ademi, mbetet i habitur me akuzat indirekte të prishtinasve për rezultatet pozitive që i arriti ekipi i tij, të cilat ia mundësuan që të kalojë në pozitën e parë 5 xhiro pa përfunduar kampionati.
“Më brengos shumë fakti se dikush mundohet ta minimizojë djersën dhe mundin e dikujt tjetër. Ju siguroj se ne kemi fituar me meritë në çdo ndeshje. Shikojeni ndeshjen me Flamurtarin ose me Vëllaznimin. Atyre u nevojitej fitorja shumë pasi rrezikojnë të bien nga liga, por ne u treguam më të mirë dhe fituam. Lojtarët prishtinas më shumë janë marrë me ankime. Kush u ka faj që mbeten me 8 lojtarë në fushë nëse shfaqin gjeste josportive? Unë mund t’ju siguroj se çdo pikë e kemi fituar me meritë”, tha Ademi.
Ai beson se Hysi do ta ruajë lidershipin deri në fund të sezonit, duke u shpallur kështu kampion i Kosovës, për herë të parë në histori të vet.
“Djelmoshat po bëjnë punë të jashtëzakonshme. Kemi besuar që nga fillimi se mund ta mbërrijmë Prishtinën dhe këtë e bëmë, madje edhe e kaluam. Ne do të mundohemi që ta mbajmë pozitën e parë deri në fund, nëse luajmë në mënyrë të njëjtë, dhe të shpallemi kampionë. S’ka pse të ankohet dikush tjetër nëse ne arrijmë suksese”, përfundoi Ademi.
Prishtina e humbi primatin pas 17 xhirosh. Ky epitet i takon tash Hysit, pesë xhiro pa përfunduar kampionati. Gjithçka rreth titullit të kampionit pritet të vendoset në xhiron e fundit, kur këto dy skuadra do të takohen në Prishtinë.