E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijëve u kërkohet të shprehin se çfarë “seksi” ndihen

25/03/2010 Skandal me orientimet që u jepen mësuesve të shkollave fillore

Djemtë e vegjël mësohen të luajnë me kukulla

Nëse një ditë djali juaj i vogël, në klasën e dytë fillore, do të fillojë nëpër shtëpi me kukulla ose të bëjë rolin e një gruaje që mban fëmijë, mos u habisni dhe as mos u shqetësoni, sepse ato janë detyra që mund t’i jepen në shkollë. Kjo është direktiva më e fundit që po u jepet mësueseve të shkollave fillore për lëndën e Edukatës qytetare. Ky program ka kohë që ka filluar dhe financohet nga fondacioni “Soros”, në bashkëpunim me disa ambasada të huaja në Tiranë. Teksti i Edukatës qytetare përmban pyetje të tilla, të tipit: “Në rast se shoqja juaj, do t’ju dhuronte një kukull, ju si do ndiheshit? A duhet të luajnë djemtë e vegjël me kukulla?”. Ende nuk dihet se çfarë kërkojnë të nxjerrin pyetje të tilla nga një fëmijë 8-vjeçar, që ende nuk ka mësuar të shkruajë dhe të lexojë mirë, por një gjë është e qartë: kush do të dërgojë fëmijën nesër në shkollë, pasi të miratohet ky tekst shkollor, duhet të përballet me pyetje të djalit të vogël të tipit: “Pse nuk u linda vajzë?”, apo sjellje që imitojnë të ëmën, pse jo dhe trukimin me të kuq buzësh apo me rimel, për t’iu përgjigjur të nesërmen mësueses në shkollë se si është ndier në rolin e femrës.

Tekstet janë shpërndarë në formë broshurash për mësuesit e shkollave fillore, janë hartuar nga qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, dhe kanë si qëllim zhvillimin e perspektivës gjinore në arsimin parashkollor. Se ku duan të dalin autorët e tekstit me këtë, e vështirë të shpjegohet. Se pse duhet që një djalë i vogël t’i shkruajë letra të qëndisura me lule shokut të bankës, dhe kjo është pak e vështirë për t’u kuptuar. Ndoshta për të na nxjerrë nga injoranca do të duhet që autorët e këtij libri të dalin dhe të shpjegojnë se çfarë sjell ky injektim idesh me prirje homoseksualësh, në formimin e individit në moshë të vogël. Gjithsesi, përgjigjen se përse Beni duhet të luajë me kukulla, dhe jo me top futbolli p.sh, duhet ta japin specialistët dhe hartuesit e tekstit. Detyra e medies është të sensibilizojë opinionin publik se me çfarë propagande arsimore po rriten fëmijët e këtij vendi, dhe se pse e paskan me kaq ngut hartuesit e kësaj pakete që të nxjerrin në pah prirjet seksuale të fëmijëve në moshën tetëvjeçare. Ky feminilizim i djemve të vegjël nuk duket rastësor, kur nga shoqata, ambasadorë apo dhe individë të ndryshëm, po ngrihet një tymnajë për atë që është quajtur homofobia shqiptare. Homoseksualiteti po përpiqet të shitet si një normalitet njerëzor, duke tentuar promovimin e tij me të gjitha mjetet. Ndërkohë sot, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit (ZMK) do të kërkojë një seancë dëgjimore në komisionin e Integrimit për kthimin mbrapsht dhe punimin e të gjithë ligjit për diskriminimin, apo i njohur ndryshe si ligji i mbrojtjes së gejve. Avokat Altin Goxhaj ka qenë i pari që ka folur rreth skandalit me tekstet për fëmijët e vegjël, dhe do të jetë ai që sërish do të kërkojë mosmiratimin nga ana e Ministrisë së Arsimit të një metodike të tillë arsimore.

Reagimi

Ministria: Nuk jemi në dijeni të programeve të tilla

Ministria e Arsimit nuk është në dijeni të qarkullimit të këtyre teksteve dhe deri më tani nga personat e interesuar nuk është paraqitur asnjë kërkesë për pranimin e tyre. Sipas të njëjtave burime, ende pranë këtij dikasteri nuk është paraqitur asnjë tekst apo program pune dhe as nuk është marrë ndonjëherë në diskutim kjo çështje. Gjithsesi mbetet i habitshëm fakti se si ka mundësi që organizohen trajnime të tilla me mësues të shkollave publike, pa marrë paraprakisht një opinion nga Ministria e Arsimit, që është dhe institucioni zyrtar që do e miratojë këtë program pune. Duket se ka një tendencë, duke përfituar dhe nga amullia e trajnimeve të pakontrolluara, që të shiten këto lloj idesh te mësuesit e shkollave publike dhe private, dhe më pas këto të përçohen si tekste edukative te nxënësit. Shumë janë të mendimit se këto lloj trajnimesh bëhen me një qëllim të caktuar, për të dhënë imazhin më pas të një shoqërie moderne. Gjithsesi, Ministria e Arsimit duhet të reflektojë në lidhje me këtë çështje, dhe të ndalojë veprime të tilla me nxënësit e fillores.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›