E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moshat e treta tani me një qendër argëtimi

11/06/2009  Nisma nga Bashkia Berat

BERAT- Që prej ditës së sotme moshat e treta në qytetin e Beratit do të kenë një qendër argëtimi për të kaluar kohën. Nisma e ndërmarrë nga bashkia e këtij qyteti për të ngritur një qendër argëtimi për këtë kategori është finalizuar me investimin për ngritjen e një ambienti çlodhës në lulishten e këtij qyteti. Bashkia e Beratit me një investim prej 1.5 milionë lekësh të reja ka mundësuar ngritjen e një ambienti çlodhës në qendër të qytetit, pranë lulishtes. Investimi i akorduar nga fondet e bashkisë dhe realizuar nëpërmjet Ndërmarrjes së Gjelbërimit ka mundësuar krijimin e një qendre me vendosjen e çadrave që kanë shndërruar lulishten në ambiente argëtimi. Vendosja e tavolinave, karrigeve nën çadrat e mëdha ka krijuar për pensionistët disa ambiente ku do të luhet shah, domino, tavëll. Të gjitha këto pajisje që përbëjnë këtë ambient me qindra vende të ndara në disa çadra do t’i ofrojnë pensionistëve të këtij qyteti mundësi argëtimi larg zhurmave të lokaleve ku ata kanë qenë të detyruar të qëndrojë. Në përurimin e kësaj qendre që është bërë gjatë paradites së sotme kryetari i bashkisë Fadil Nasufi u shpreh se kjo nismë e bashkisë u ndërmor për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie me qëllimin e vetëm krijimin e një mundësie më të mirë për të kaluar kohën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›