E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Socialistët premtuan e mashtruan, ndërsa ne e ndërtuam

11/06/2009  Shefi i ekzekutivit përuron rrugën Transballkanike në Vlorë

Kryeministri premton ndërtimin e aeroportit të Vlorës

Kryeministri Sali Berisha ka inauguruar në Vlorë përfundimin e punimeve për rrugën Transballkanike me gjatësi 2.5 km dhe vlerë 725 milionë lekë, të cilën e vlerësoi si arterie jetike për qytetin, pasi e mbron qytetin nga qarkullimi i mjeteve të rënda, që kushtëzohet nga porti. Shefi i ekzekutivit ka theksuar se kjo rrugë është ndërtuar sipas të gjitha parametrave moderne, bashkëkohore, duke e bërë atë të lakmueshme për çdo metropol. “Kjo rrugë ka dy aspekte: socialistët e premtuan, prenë shirita dhe mashtruan, ndërsa ne e premtuam dhe e ndërtuam. Unë kam besim të madh se çdo qytetar i Vlorës di të bëjë dallimin nën kthjelltësinë e diellit”, - tha ai. Gjatë ceremonisë Berisha premtoi se Vlora, e cila tashmë ka bulevardin, parkun energjetik, parkun industrial, universitetin modern, do të ketë dhe aeroportin. “Katër vjetët që vijnë janë vitet e zhvillimit të fuqishëm, janë vitet e zhvillimit më të fuqishëm të Vlorës, ndoshta më të fuqishëm se të çdo qyteti tjetër në Shqipëri, në brigjet e deteve, sepse këtu nis porti gjigant”, - deklaroi ai. Pas kësaj ceremonie Berisha mori pjesë në inaugurimin e unazës së re të Orikumit, investim me vlerë 1.2 milion dollarë. Duke vlerësuar bukuritë e Orikumit në brigjet e Shqipërisë, ai u shpreh se tashmë Orikumi po kthehet në identitet. “Ky është Orikumi që po ndërtojmë, Orikumi, një bizhu e vërtetë në brigjet e Shqipërisë, po kthehet në identitet, një qendër e fuqishme evropiane. I tillë ka qenë që në kohëra dhe i tillë po bëhet”, - tha ai. Gjithashtu shefi i ekzekutivit ka inauguruar përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Balill Prelari” së bashku me shtesën e re të shkollës, investim me vlerë 43 milionë lekë. Gjatë një bisede me nxënësit e kësaj shkolle kreu i qeverisë u premtoi se shumë shpejt ata do të kenë mundësi të navigojnë në internet jo vetëm në shkollë, por edhe në shtëpitë e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›