Moskandidimi i Gjergjit, banorët e Sukthit protestë para PD-së
Qindra mbështetës të deputetit demokrat Sami Gjergji kërkuan nga PD futjen e tij në listën fituese
Krisjet brenda Partisë Demokratike janë bërë edhe më të qarta pas publikimit të listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Qindra simpatizantë dhe mbështetës të deputetit demokrat Sami Gjergji të ardhur nga Sukthi protestuan dje para selisë qëndrore në Tiranë, duke kërkuar rikandidimin e deputetit të zonës së tyre dhe përfshirjen e emrit të tij në listën e fituesve.
Ata paralajmëruan se PD-ja nuk do të ketë të njëjtin rezultat të vitit 2005, nëse nuk përmbush kërkesën e tyre. Biznesmeni Sami Gjergji është deputet i Sukthit në Durrës. Ai njihet si një nga mbështetësit e presidentit Topi brenda grupit parlamentar të PD-së. Emri i tij u rendit i nënti në listën e kandidatëve për deputet në Qarkun e Durrësit, renditje e cila nuk e bën fitues në garën elektorale.
Pas publikimit të saj, Gjergji shpalli publikisht dorëheqjen nga kandidimi dhe pakënaqësinë e tij ndaj drejtuesve të Partisë Demokratike. "Duke parë zhvillimet më të fundit politike, por edhe garimet brenda radhëve të PD-së, ku nuk jam ndier i vlerësuar, pasi kontributi im në këtë parti ka qenë në shkallën më të lartë, deklaroj se kam marrë vendimin për t'u larguar nga kjo garë politike. Të jesh apo jo pjesë e Parlamentit të Shqipërisë, është bërë pjesë e debateve politike, por ajo që sot kërkohet është vlera e vërtetë, ose kontributi real, por kur kjo nuk vlerësohet apo anashkalohet, arrihet deri në dorëheqje",- tha ai pak ditë më parë për mediat.
Në listën e këtyre zgjedhjeve shumë kritikë të kryeministrit Berisha kanë mbetur jashtë listave, të tillë si Besnik Mustafaj dhe Preç Zogaj. Nga grupi aktual parlamentar, 17 deputetë nuk janë përfshirë në listën e kandidatëve, ndërsa 10 deputetë të tjerë rrezikojnë të mos futen në Kuvendin e ardhshëm, për shkak të renditjes aspak të favorshme. Në listën e të përjashtuarve janë edhe deputetë të vjetër të Kuvendit si, Pal Dajçi, Rexhep Uka, Blerim Çela apo Sali Shehu.