E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, KQZ kthen listat e Partisë Socialiste

Mosplotësimi i 30 përqindëshit të grave në Lezhë, ka sjellë kthimin e të gjitha listave

Socialistët kanë bërë ndryshime edhe në listat kandidatëve për Qarkun e Shkodrës dhe atij të Kukësit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kthyer dje për riplotësim listat e kandidatëve të Partisë Socialiste. Me 7 vota pro dhe asnjë kundër, KQZ-ja ka vendosur të mos pranojë listën e kandidatëve të PS-së, me argumentimin se në hartimin e saj nuk janë mbajtur parasysh kërkesat e Kodit Zgjedhor, për sa u përket kuotave të përfaqësimit të gjinisë femërore në to. Faktikisht, mangësi ka patur vetëm lista shumemërore e Qarkut të Lezhës, e cila nuk kishte në përbërjen e saj 30 për qind kandidate femra.


Pavarësisht se PS-ja ishte përpjekur më parë që të rregullonte këtë mangësi duke hequr nga lista kandidatin Riza Dalipaj dhe zëvendësimin e tij me kandidaten Manushaqe Suli, nuk arriti përfaqësimin e grave në kuotën e 30 për qindëve. Për këtë shkak, komisioni e vlerësoi të arsyeshme që të mos e miratojë këtë listë. Por, mosmiratimi i kësaj liste, në bazë të Kodit Zgjedhor, sjell dhe mosmiratimin e të gjitha listave të tjera që kjo forcë ka paraqitur në të gjitha qarqet e tjera. Për mangësinë e listës së Qarkut Lezhë, nuk ka kundërshtuar as vet përfaqësuesi socialistë në këtë komision, ndërsa anëtarët e KQZ-së të propozuar prej socialistëve kanë votuar pro kthimit të listave për rishqyrtim.


Ndërkohë PS-ja kishte ndryshuar listën e saj edhe në disa qarqe të tjera, si Shkodra dhe Kukësi, duke bërë të mundur plotësimin e kuotës ligjore të përfaqësimit të grave. Në Shkodër PS-ja ka hequr nga lista kandidatin Helidon Belen dhe në vend të tij ka vendosur kandidaten Suzana Golemi, duke renditur në listë plotë 4 femra. Ndërsa në listën e Qarkut Kukës, PS-ja për të plotësuar këtë kriter ka bërë vetëm një zhvendosje kandidatësh, duke kaluar Tajtjana Kërxhaliun nga vendi i katërt në vendin e tretë, që mbahej nga Rexhep Ukperaj.


Në këtë mënyrë, edhe për këtë qark socialistët kanë plotësuar 30 për qindëshin, pasi kanë shfrytëzuar klauzolën e Kodit Zgjedhor, ku përcaktohet se 30 për qindëshi i grave plotësohet kur në tre emrat e para të çdo liste është një femër. Por, ndërsa për këto çështje nuk ka patur asnjë kundërshtim mes palëve, nga ana tjetër, jo pak debate shkaktoi fakti i servirur prej përfaqësuesit demokrat në këtë komision, se deklaratat e deputetëve aktual të PS-së nuk ishin firmosur nga vetë ata, por prej sekretarit socialist për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj.


Pavarësisht kësaj mangësie KQZ-ja i ka pranuar deklaratat si të sakta. Tashmë PS-së i mbeten vetëm pak ditë në dispozicion për të kryer një akt formal, për të vendosur në listën e Qarkut të Lezhës edhe një kandidate femër që të plotësojë kuotën e përfaqësimit të grave.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›