E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mosli: F1 mund të humbë skuadra të tjera

Vetëm pak momente përpara se të hynte në mbledhjen e konstruktorëve në Montekarlo, Maks Mosli u shpreh i shqetësuar për të ardhmen e Formula 1, pas tërheqjes së Hondas. "Nuk besoj se F1 qëndron në pozita të tilla, ku në njërën anë është falimentimi, ndërsa në tjetrën mbijetesa, deklaroi presidenti i FIA-s. Megjithatë, nëse situata do të përkeqësohet në tregun e automjeteve, të tjera skuadra mund të vendosin të largohen nga ky sport. Momentalisht nuk mund të themi se kemi prekur pikën më të ulët dhe për këtë arsye situata vetëm do të përmirësohet. Të gjitha tregjet kanë pasur ngritje gjatë këtyre dy apo tri ditëve të fundit, e duket sikur gjërat po ecin për mirë. Kjo mund të jetë e vërtetë, por edhe e gabuar. Në pozitat që jemi, nuk mund të themi asgjë me siguri. Na mbetet vetëm të shpresojmë se gjithçka do të kalojë. Nëse gjërat do të përmirësohen për industrinë automobilistike, aq më mirë për ne. Por, në rast përkeqësimi, do të gjendemi përpara problemeve më të mëdha. Deri më tani nuk kam informacione se ndonjë prodhues tjetër po mendon të tërhiqet nga cirkuiti. Askush nuk mund ta dijë. Përpara fillimit të sezonit 2009 mund të ndodhin shumë gjëra, mund të them se jemi në një fazë me shumë pikëpyetje dhe të panjohura".

Qëllimi i takimit të krerëve të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) me FOTA-n (Asociacioni i Skuadrave të Formula 1) ishte gjetja e mënyrave që do të ndikonin në reduktimin e shpenzimeve. Mosli iu rikthye idesë për të përdorur një motor standard për të gjitha makinat. Ai do të prodhohet nga Kosuorth dhe do të ketë çmime më të lira. Mosli pohoi: "Për momentin jemi në fazën e diskutimeve. Janë të shumta skuadrat që e pëlqejnë idenë e garimit me motor të njëjtë, por konstruktorët kanë të drejtën të bëjnë edhe oferta të tjera interesante. Gjithsesi duhet të jemi të sigurt se do të veprojmë në mënyrën e duhur, pasi nuk mund të ndikojmë për keq në një situatë katastrofike".

Lauda

Ish-piloti i njohur austriak, Niki Lauda, ka folur për situatën e krijuar në Formula 1. Ai u shpreh i sigurt se kriza ekonomike që ka "mbërthyer" botën nuk e rrezikon këtë sport. Lauda tha: "Më në fund, ndjesisë së pasurisë dhe iluzioneve i erdhi fundi. Gjithsesi, jam i bindur se Formula 1 është më e qëndrueshme nga sa mendohet". Më tej, 59-vjeçari shtoi se për të mirën e tyre, skuadrat duhet me patjetër t‘i reduktojnë shpenzimet. Menjëherë pas largimit të Hondas nga aktiviteti, të gjitha pjesëmarrëset po diskutojnë mënyrat për të kursyer. "Skuadra me sponsorë të fortë si MekLaren dhe BMW nuk kanë asnjë arsye përse të tremben, pasi për momentin, kontratat që kanë nuk do të ndryshojnë, vijoi Lauda. Por, asnjëherë si më parë në Formula 1 nuk ishin shpenzuar kaq shumë para për aeroplanë, jahte dhe pallate prej kristali vetëm për t‘u dalluar nga të tjerët. Tashmë, kjo ‘flluskë sapuni‘ shpërtheu".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›